Një fond evropian prej 5 milionë eurosh të destinuar për Bosnje e Hercegovinën është anuluar dhe 9 milionë të tjerë rrezikojnë të kenë të njëjtin fat.

Konfirmimi ka ardhur nga Komisioni Evropian, që ka drejtuar gishtin ndaj klasës politike të Sarajevës dhe mungesës së vullnetit të saj për të realizuar koordinimin e nevojshëm në nivel administrativ.

“Së fundmi komisioni i monitorimit të realizimit të projekteve përmes fondeve të paraanëtarësimit ka anuluar dy projekte në sektorin e agrikulturës për Bosnje e Hercegovinën, për shkak të mungesës së një marrëveshjeje të brendshme për menaxhimin e zhvillimit rural”, ka deklaruar Peter Stano, zëdhënës i komisionerit për Zgjerim, Fule.

“Për të shmangur që raste të tilla të përsëriten në të ardhmen kemi nevojë për një mekanizëm koordinimi që të funksionojë mirë në BeH”, ka saktësuar Stano. Sipas tij, në bazë të zhvillimeve në sektorë të tjerë nuk përjashtohet mundësia që projekte të tjera të pezullohen apo edhe të anulohen.

“E gjitha kjo është në duart e politikanëve, që kanë përgjegjësinë e vendimit të BE-së për të reduktuar ndihmat”, ka akuzuar më tej zëdhënësi i Fule klasën politike.

Top Channel