Selami Xhepa, ish-këshilltari i Kryeministrit në vitet 2005-2009, tani
dekan në Institutin Kanadez të Teknologjisë, sqaron në një intervistë
për Top Channel se çfarë pasojash ka për ekonominë, anulimi masiv i
koncesioneve të dhëna nga Qeveria e mëparshme.

“Nga pikëpamja ligjore çdolloj kontrate që është e mbyllur mes dy palëve, normalisht duhet të kalojë në gjykatë, në arbitrazh dhe për rrjedhojë, nëqoftëse një vendim i tillë i politikës do të ndërmerrej do të kishte pasoja për financat e vendit. Nga ana tjetër nëqoftëse mund të ketë kontrata që janë miratuar me vendim të qeverisë së mëparshme, të cilat akoma nuk janë ekzekutuar nga Ministria e Energjisë që është autori kompetent ligjor për nënshkrimin e kontratave me investitorët private, atëherë kjo është një çështje që nuk do të prodhojë pasoja juridike”, tha Xhepa.

Por edhe në rastin e kontratave të panënshkruara, pra atyre qe ende ne fazen e vendimit te qeverise, zoti Xhepa mendon se anulimi masiv dhe i njënashëm nuk do ishte një vendim racional.

“Po ta gjykojmë në aspektin e mesazhit që kjo përcjell për klimën e investimeve në vend, mendoj që nuk është një vendim i drejtë dhe i duhur. Nëqoftëse do të bëheshin anulime të kësaj natyre, normalisht duhet që të ketë një justifikim, lidhur me argumentin se pse kontrata të tilla do të shfuqizohen në mënyrë që komuniteti i investitorëve, biznesmenët, të cilët kanë angazhuar burimet e tyre në pritje të mbylljes së procedurave, të kenë mundësi për t’u njohur me gjykimin racional të një vendimi të tillë politik. Vetëm në këtë rast do të zbutej ndoshta efekti negativ i mesazhit që përcjell një vendim i tillë politik”, thotë Xhepa.

Sipas tij, zgjidhja më e mirë do të ishte rinegocimi i marrëveshjeve, për të gjitha ato koncesione, të cilat Qeveria mendon se nuk është mbrojtur interesi publik, duke përfshirë dhe ato që kanë hyrë në fuqi tashmë. Një zgjidhje kjo e zbatuar nga ish-Qeveria e demokratëve me kontratën e shitjes së ‘Albtelekom’.

“Qeveria shqiptare dhe ministritë, që kanë nënshkruar kontrata koncesioni, mund të rinegiojnë edhe kontratat koncesionare që janë dhënë deri tani, në funksion të mbrojtjes më të mirë të interesit publik. Në veçanti bëhet fjalë për tarifa. Nëqoftëse kemi patur kontrata, të cilat kanë aplikuar tarifa që mund të konsiderohen relativisht të kushtueshme për qytetarët, Qeveria e ka këtë të drejtë, sepse kontratat mund të rinegociohen gjithmonë midis palëve”, tha Xhepa.

Javët e fundit në detyrë Qeveria që iku mori një sërë vendimesh për dhënien e koncesioneve të reja. Eksponentë të qeverisë se rë socialiste kanë deklaruar se të gjitha koncesionet dhe vendimet e tjera te Qeverise qe jane marre pas 23 qershorit do të anulohen, ndërsa për kontratat më të vjetra, që janë dhe ato më të mëdhatë do të ketë rishikim.  

Top Channel