Prokuroria Publike e Shkupit u ka shqiptuar masën e paraburgimit 30-ditor 20 personave në mesin e të cilëve ndodhen edhe disa zyrtarë, të arrestuar ditë më parë nga policia nën dyshimin se kanë qenë të përfshirë në një skemë spiunazhi.

Ata akuzohen se kanë spiunuar për shërbime të huaja sekrete, duke iu dhënë informata konfidenciale. Shtypi maqedonas ka shkruar se ‘spiunët’ maqedonas u kanë dhënë informacione shërbimeve inteligjente greke dhe hungareze.

E përditshmja në gjuhën maqedonase “Dnevnik” shkruan se shërbimet greke dhe hungareze i kanë kompensuar me çmime të larta informatat sekrete të nxjerra nga sirtarët e shërbimeve inteligjente maqedonase.

Po sipas kësaj gazete, më pas shërbimet sekrete greke dhe hungareze, informatat e siguruara ua kanë shitur për çmime edhe më larta kolegëve të tyre të vendeve të ndryshme.

Ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska një ditë më parë tha se grupi i arrestuar ka filluar të funksionojë që nga viti 2009, ndërsa drejtues ka qenë një i punësuar në Agjencinë e Zbulimit.

Deri më tani janë akuzuar 20 persona, 17 prej të cilëve gjenden në arrest, ndërsa tre të tjerë janë në arrati. Ky aksion i policisë maqedonase, i koduar me emrin “Spiuni”, nga shtypi grek është cilësuar si një aferë e fabrikuar.

E përditshmja greke “Kathimerini” në numrin e saj të fundit shkruan se, Shkupi po tenton ta përfshijë Greqinë në një aferë spiunazhi në të cilën s’është përfshirë asnjë zyrtar i qeverisë helene.

Top Channel