“Koncensionet, në lupën e Qeverisë”

18/09/2013 00:00

Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, donatorit më të madh në Shqipëri me një ndihmë që në 25 vite kap shifrën e mbi 1 miliardë eurove, inspektoi disa prej projekteve të rëndësishme të financuara nga qeveria gjermane në zonën e Shkodrës.

Një prej tyre është ndërtimi i linjës së transmetimit 400kv Tiranë-Podgoricë, me gjatësi 155 km, me ndikim të drejtpërdrejtë në përmirsimin e shërbimit ndaj konsumatorit.

Integrimi i mëtejshëm i Shqipërisë në rrjetin rajonal të transmetimit realizohet nëpërmjet një tjetër financimi të qeverisë gjermane dhe KFW, me vlerë 42 mln euro, që është projekti për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit me Kosovën.

Pavarësisht problemeve të hasura fillimisht me anullimin e tenderit nga pala shqiptare, ambasadori Hellmut Hoffman thotë se projekti tashmë është në rrugë të mbarë dhe se pas vlerësimit të ofertave të tenderit pritet nisja e ndërtimit të linjës në fund të vitit.

“Për fat të keq fillimisht ka patur disa vështirësi të cilat kanë shkaktuar vonesa, por tani është realizuar tenderi i dytë, ofertat janë mbledhur nga firmat që mendohet se do të realizojnë projektin dhe mendoj që deri në fund të vitit të fillohet me ndërtimin e linjës, në të mirë të vendit, pasi kjo linjë është vertetë me rëndësi vendimtare për sektorin e energjisë në Shqipëri”, ka deklaruar Hoffman.

Ambasadori Hoffman thotë se Gjermania po ndjek me vëmendje punën e qeverisë së re dhe realizimin e programit te saj. I pyetur lidhur me konçensionet e dhëna deri më tani, ambasadori gjerman thotë se qeveria e re duhet të shohë me lupë këto marrëveshje, por nga ana tjetër duhet bërë kujdes me sipërmarrjet që kanë nisur aktivitetin dhe janë të shqetësuara mbi sigurinë e investimit të tyre.

“Kemi lexuar se qeveria e re synon të marrë nën lupë, pra të kontrollojë në mënyrë të detajuar, të gjitha konçesionet apo vendimet e qeverisë paraardhëse që janë dhënë së fundmi. Në parim e mirëkuptoj, sepse edhe ne i kushtojmë mjaft rëndësi një procesi të rregullt ligjor. Kjo në dobi të sigurisë së investimeve. Ndaj, çdo qeveri ka të drejtën të verifikojë vendimet e dhëna në këtë drejtim. Por nga ana tjetër duhet të kemi dhe mirëkuptim për ato firma dhe sipërmarrje të cilave u është akorduar tanimë konçesioni, nënkuptoj edhe firmat gjemane, të cilat kanë marrë tanimë një liçencë veprimi, kanë aktivizuar veprimet e tyre dhe ndërkohë po shqetësohen se mos ndoshta ato kanë vendosur në rërë themelet e investimit të tyre”, ka theksuar Hoffman.

Një tjetër projekt i rëndësishëm i financuar nga shteti gjerman është ai i sigurisë së digave në kaskadën e Drinit dhe sistemit të paralajmërimit të përmbytjeve, lidhja e komunës Qelëz me rrugën kombëtare dhe furnizimi me ujë në zonat rurale të kësaj zone, mbrojtja mjedisore në liqenin e Shkodrës dhe mjaft projekte të tjera.

Top Channel