Ashtu siç pritej, retorika e urrejtjes dhe aktet e dhunës nga ana e partisë neonaziste Agimi i Artë kanë sjellë vrasjen e parë me motive politike në Greqi.

Të martën në mesnatë 34-vjeçari Pavlos Fissas, i njohur për veprimtarinë e tij antifashiste nëpërmjet teksteve të këngëve të tij, është qëlluar për vdekje me thikë në lagjen Keratsini të Pireut, në Athinë, nga një neonazist grek.

“Vrasja e neveritshmie në Keratsini nga një anëtar i Agimit të Artë, siç ai vetë e ka pohuar, pasqyron në mënyrën më të qartë qëllimet e neonazistëve”, ka deklaruar Nikos Dendias, Ministër i Mbrojtjes Civile.

Policia, që ka arrestuar një 45-vjeçar si autorin e krimit, ka zgjeruar hetimet për këtë vrasje në zyrat e Agimit të Artë. Ndërkohë, në Parlament zëdhënësi i kësaj partie ka mohuar çdo lidhje me këtë vrasje.

“Të gjithë ju këtu jeni të bashkuar kundër nesh. Të gjithë së bashku me kanalet televizive të degjeneruara thoni gënjeshtra. Agimi i Artë nuk ka asnjë lidhje me të gjitha këto e me këtë rast fatkeq në Keratsini”, ka thënë Ilias Kassidiaris.

Të gjitha partitë politike kanë reaguar ashpër ndaj këtij akti barbar, siç e kanë quajtur dhe në Parlament, ku për herë të parë është diskutuar hapja e një dialogu publik ku propozohet një ndërhyrje legjsilative në dy prej neneve të Kodit Penal, për organizatat kriminale dhe krijimin e grupeve të armatosura, me të cilat pritet të ndalohen aktet e dhunshme të anëtarëve të kësaj partie, sidomos në vitin e fundit.

Tre ditë më parë, në një prej lagjeve më të varfëra periferike të Athinës, mbi 40 persona të veshur me uniformat e Agimit të Artë sulmuan disa të rinj të partisë komuniste, duke plagosur të paktën nëntë prej tyre.

Në një prej shkrimeve të saj të fundit, britanikja “The Guardian”, që i referohet kësaj ngjarjeje duke e konsideruar si më të dhunshmen pas hyrjes së partisë neonaziste greke në Parlament, paralajmëron se Agimi i Artë kërkon të kultivojë një klimë të luftës civile në Greqi.

Ndërkohë, në një prej mitingjeve të pasdites në kujtim te 34-vjeçarit të vrarë nga neonazisti grek, një grup militantësh të majtë ka sulmuar kryetarin e partisë së djathtë Grekët e Pavarur, Panos Kamenos, ndërsa policia ka marrë masa të rrepta në gjithë kryeqytetin me frikën e incidenteve të mundshme mids anarkistëve të majtë dhe grupeve të djathta ekstreme.

Top Channel