Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, beson se Kryeministri i ri shqiptar, z. Edi Rama, do të arrijë t’i bëjë më të
pranueshme për faktorin ndërkombëtar, kërkesat e shqiptarëve të gjithë
rajonit.

Thaçi u shpreh optimist kur u pyet nga gazetarët nëse Rama mund të ndikojë në avancimin e çështjes shqiptarë në Maqedoni.

“Kam shumë shpresa tek kryeministri Rama se do të bëjë jo vetëm për Shqipërinë por edhe për të gjithë shqiptarët. Kam njohuri të thella të aspekteve të tij intelektuale, qasjeve të tij patriotike, por nuk dua ta fus në situata të pavolitshme z. Rama. Unë kam shumë shpresa se ai me diturinë dhe mprehtësinë e vetë që ka do të arrijë që para ndërkombëtareve që janë determinues, që kërkesat tona t’i bëjë më lehtësisht të pranueshme”, tha Menduh Thaçi.

Kreu i opozitës shqiptare në Maqedoni të mërkurën ka zhvilluar një takim me raportuesit e BE-së për Ballkanin Perëndimor, me të cilët ka ndarë mendimin se  vendet e rajonit po shënojnë progress në procesin e integrimit, përveç Maqedonisë e cila ka ngecur në këtë drejtim.

“Ne jemi shumë të zhgënjyer për shkak se nuk vërejmë asnjë shenjë apo simbolikë nga ana e qeverisë se do ta debllokojë procesin integrues”, u shpreh Thaçi.

I pyetur për raportin e progresit për Maqedoninë që do të publikohet në tetor, Thaci tha se problemet e Shkupit janë të qarta dhe nuk pret që raporti të dallojë ai i vitit të kaluar.

Top Channel