Krijimi i Beneluksit të Ballkanit

19/09/2013 00:00

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj,
bëri të ditur se Qeveria po harton një plan për të njësuar kontrollin
doganor të mallrave me Kosovën.

“Ne jemi duke marrë një iniciativë për lehtësimin e tregtisë me Kosovën, që në afatmesëm do të ketë vetëm një administratë kontrolli në portin e Durrësit, për të gjitha mallrat që hyjnë në Shqipëri me destinacion tregun kosovar, që do të kursejë orë pune, kosto të pafundme dhe do ta bëjë në fakt kufirin, në aspektin tregtar, një vijë të padukshme”, tha Ahmetaj.

Kreu i Ekonomise i bëri këto deklarata në një konferencë të organizuar nga një grup institutesh, të cilat po artikulojnë në publik idenë e krijimit të një zone të përbashkët ekonomik mes Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Kosovës.

“Ideja është të promovohet dhe koordinohen veprimet mes katër vendeve, veçanërisht në ekonomi, marrëdhëniet ndërkombëtare, siguri dhe arsim. Qëllimi final është të kemi një Beneluks në Ballkan”, tha Adrian Shehu, presidenti i ‘AGREEI’.

Ideja për një zonë të përbashkët ekonomike edhe nga biznesi, i cili madje e quan atë domosdoshmëri për të thithur kapitalin e huaj, që sot pengohet nga madhësia e vogël e tregut.

“Pyetjet kryesore që kanë investitorët, ata që zotërojnë kapitale kur duan të vijnë për të investuar janë dy. Madhësia e ekonomisë dhe ajo e tregut. Por kur u thua se Shqipëria është tre milionë banorë, Maqedonia dy dhe Mali i Zi edhe më i vogël, thonë menjëherë ‘ok, po shkoj të investoj në Serbi ose Greqi”. Pra në këtë logjike nuk jeni në konsideratë as të investitorëve më të vegjel të kapitalit që vijnë nga jashtë dhe për të qenë në axhendën e tyre, nuk mund të rrini të veçuar”, u shpreh Mark Craëford, president i Dhomës Amerikane të Tregtisë.

Por Selami Xhepa, mbështet një zgjidhje tjetër. Atë të bashkimit të njanshëm doganor me vendet e BE-së.

“A do të ishte më mirë të shkonim drejt kësaj ideje, apo drejt idesë të anëtarësimit të të gjithë vendeve të Ballkanit, drejt zonës së bashkimit doganor europian, duke harmonizuar në mënyrë të plotë politikën tregtare, tonën me atë të BE-së. Axhendat e integrimit nuk mund të sillen në orbita të ndryshme, sa kohë që secili vend i Ballkanit ka një aspiratë përtej Ballkanit për t’u anëtarësuar në vendet e BE-së”, tha Xhepa.

Top Channel