Vrasja e pjesëtarit të EULEX-it në veri të Kosovës është një sulm ndaj së ardhmes së tërë Serbisë. Beogradi zyrtar e ka dënuar sulmin.

Kryeministri serb, Ivica Daçiç ka deklaruar se ky është një akt ekstremist, nuk është akt patriotik dhe është në dëm të shtetit.

“Këto të shtëna nuk janë të shtëna kundër EULEX-it, por kundër të ardhmes së popullit serb, të ardhmes së Serbisë dhe qytetarëve të saj”, ka thënë Daçiç, duke pyetur se cila është e ardhmja e serbëve në këto rrethana.

“Ata që kanë bërë një veprim të tillë janë armiq të Serbisë”, ka theksuar ai. Daçiç, duke e quajtur sulmin si “marrëzi ekstremistësh”, ka thënë se aktin e dënon e tërë qeveria e Serbisë.

Kryeministri serb i ka shprehur ngushëllime kryeministrit të Lituanisë dhe ka thënë se për këtë ngjarje ka biseduar edhe me shefen për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton. Daçiç ka premtuar edhe ndihmë për zbardhjen e këtij rasti.

Top Channel