Mijëra grekë morën pjesë ditën e enjte në funeralin e muzikantit grek antifashist Pavlos Fisas, që humbi jetën pasi u sulmua me thikë nga një simpatizant i partisë neonaziste Agimi i Artë.

Duke hedhur parulla si “një në varr, mijëra në luftë” dhe “vrasësit fashistë”, ata kanë dënuar edhe njëherë këtë akt barbar që ka krijuar reagime të fuqishme në opinionin publik të vendit.

Në një mesazh drejtuar popullit, kryeministri Samaras ka deklaruar se grekët po përballen me kohë të vështira dhe sakrifica të medha, por diferencat nuk mund të zgjidhen me dhunë dhe se ai nuk do t’u lejojë atyre që adhurojnë nazistët të kryejnë krime dhe të terrorizojnë njerëzit.

“Kjo qeveri është e vendosur të mos lejojë pasardhësit e nazistëve të helmojnë jetën tonë, të kryejne krime, të terrorizojne dhe të minojnë themelet e vendit që lindi demokracinë. Demokracia është shumë më e fortë se sa besojne armiqtë e saj”, ka deklaruar Samaras.

Polemikat për përgjegjësinë e dhunës së Agimit të Artë kanë vazhduar edhe në Parlamentin grek, me deputetët neonazistë që këmbëngulin se nuk kanë lidhje me këtë ngjarje tragjike.

“Dua që të dënoj këtë tallje dhe këdo që shfrytëzon gjakun e një të riu për përfitime politike dhe me qëllim t’i kundervihet Agimit të Artë për të fituar vota. Kjo është qesharake”, ka deklaruar Ilias Kassidiaris, deputet i Agimit të Artë.

Ndërkohë, zv.kryeministri dhe kryesocialisti Evangjelos Venizelos ka deklaruar se do të mbështesë qeverinë duke përdorur të gjitha kompetencat ligjore për të frenuar dhunën e anëtarëve të kësaj partie, që tashmë është bërë forca e tretë politike në vend.

Ndër analizat më problematike të ngjarjeve të fundit në vend, që kanë të bëjnë me rritjen e mbështetësve të kësaj partie, është padyshim ajo që i referohet lidhjeve të forta mes Agimit të Artë dhe policisë greke, fakt që është komentuar në orët e fundit edhe nga mediat e huaja.

Top Channel