Partia shqiptare në pushtet, BDI ka kundërshtuar kërkesën e opozitës maqedonase që në komisionet parlametare të kufizohet me ditë debati për ligjet që Kuvendi duhet t’i miratojë me proçedurë të shkurtuar.

Kjo kërkesë e partisë maqedonase në opozitë, LSDM-së, është parashtruar në grupin e punës për ngjarjet e dhunshme në Kuvend, ku vendimet merren me konsensus.

Për BDI-në, kërkesa e këtillë është e papranueshme pasi do t’i hapte rrugë miratimit të ligjit të shumëpërfolur për të drejta të veçanta për forcat maqedonase të sigurisë.

“Ne që në fillim kemi qënë në qëndrimin që të promovojmë tolerancë maksimale në debatin nëpër komisione. Me mospranimin e kufizimit të debatit me ditë ne de fakto prandalojmë këtë ligj dhe çdo ligj që do të kishte rrënuar raportet ndëretnike”, deklaroi Nexhat Jakupi, koordinator i grupit parlamentar të BDI-së.

Projektligji për forcat maqedonase të sigurisë, i propozuar nga partia e kryeministrit Gruevski një vit më parë, është bllokuar në komisionin parlamentar për punët dhe politikën sociale, pasi deputetët e BDI-së kanë propozuar mbi 15 mijë amandamente për shqyrtimin e të cilave do të nevojiteshin vite të tëra.

Ky porjektligj u kundërshtua ashpër nga shqiptarët, pasi parashikon të drejta të veçanta vetëm për pjestarët maqedonas të konfliktit të vitit 2001 dhe përjashton luftarët e UÇK-së.

Top Channel