Me fotografinë e 34-vjeçarit Pavllos Fissas në momentet e para pas ekzekutimit të tij prej një anëtari të partisë naziste “Agimi i Artë” qarkullon gazeta greke “Proto Thema” në faqen e saj të parë, duke shokuar miliona grekë.

Në fotografinë e gazetës duket viktima që dergjet në tokë i goditur për vdekje dhe e dashura e tij duke i mbajtur me dorë plagën, në pritje të mbërritjes së ambulancës. Pamjet shokuese u fotografuan vetëm pak çaste pas përleshjes në lagjien Nikia, ku 34-vjeçari Fisass u godit prej një grupi fashistësh. Ngjarja tragjike shkaktoi zemërimin e opinionit grek kundër partisë naziste, ndërsa në të gjithë vendin manifestimet kundër ekstremistëve të djathtë degjeneruan në akte dhune.

Redaktorët e gazetës deklaruan se vendosën të publikojnë foton pikërisht për t’i treguar opinionit botëror egërsinë e nazistëve dhe njëkohësisht për t’i bërë apel politikës vendase të krijojë bazën ligjore që fenomene të tilla të mos përsëriten më.

Vrasja barbare e Fissas ka ndikuar thellë opinionin vendas. Në sondazhet e së dielës duket qartë rënia e mbështetjes popullore ndaj partisë naziste “Agimi i Artë”, ku përqindjet e kësaj partie ranë nga 8.5% në afërsisht 7%. Mbështetje në rritje kanë partitë e vogla të majta, ndërsa dy partitë e mëdha të koalicionit qeverisës, Nea Dhimokratia dhe PASOK, kanë marrë përkatësisht 19 dhe 4.3%.

Top Channel