Policia greke njoftoi arrestimin e një ish-efektivi të saj të pezulluar një vit më parë pas akuzave për aktivitetin e tij me Agimin e Artë.

Në njoftimin e policisë greke thuhet se arrestimi është kryer në zyrat e Agimit të Artë në Athinë, ku polici i pezulluar punonte si truprojeve i deputetëve dhe drejtuesve të lartë të partisë naziste greke.

Akuzat për lidhje të efektivëve të policisë, mes të cilëve edhe drejtuesve të lartë të saj me nazistët e Agimit të Artë, shtynë Ministrin grek të Mbrojtjes së Qytetarit, Nikos Dendias të urdhërojë ngritjen e një task force për hetimin e kësaj.

Grupi hetimor drejtohet nga kreu i Shërbimit të Brendshëm të policisë greke, Panajotis Stathis. Stathis do të përpiqet të vërtetojë akuzat e hedhura në mediat vendase për lidhjen e eksponentëve të policisë dhe pjesëmarrjen e tyre në aktivitetet e dhunshme të Agimit të Artë.

Hetimi nisi pak ditë pas vrasjes së një këngëtari të majtë, i njohur për bindjet e tij anti-fashiste në Greqi. Vrasja e të riut shkaktoi protesta në vend dhe përplasje mes qytetarëve dhe simpatizantëve të Agimit të Artë.

Policia arrestoi autorin e vrasjes që pranoi se ishte anëtar i lëvizjes së ekstremit të djathtë. Vetë deputetët e Agimit të Artë mohuan të kenë gisht në këtë vrasje, ndërsa si masë kundër tyre, qeveria vendosi heqjen e truprojës policore për këta deputetë dhe cilësimin e aktivitetit të tyre si kriminal.

Top Channel