Kroacia është dorëzuar përpara presioneve të Komisionit Evropian dhe do të ndryshojë sa më shpejt dhe pa kushte ligjin që kufizonte aplikimin e urdhër-arrestit ndërkombëtar, duke bërë të ekstradueshëm të gjithë kriminelët e luftës dhe vrasësit politikë për krime të kryera para 7 gushtit 2002.

Marrëveshja është njoftuar nga ministri i Drejtësisë, Orsat Miljeniç dhe nga komisionerja evropiane Viviane Reding, pas një takimi të zhvilluar në Bruksel.

“Kroacia do të ndërmarrë të gjithë hapat e duhur për të aktivizuar sa më shpejt dhe pa kushte aktin e bashkëpunimit gjyqësor dhe do të rishikojë tërësisht normat e urdhër-arrestit evropian, duke hequr të gjitha kufizimet për krimet e kryera para 7 gushtit 2002”, ka deklaruar Miljeniç.

Ndërsa komisionerja Reding ka saktësuar se Komisioni do të mbikëqyrë veprimet e Zagrebit dhe se është i gatshëm të ndërpresë proçedurën e sanksioneve sapo të verifikohet se anëtari i ri i BE po mban premtimet.

Modifikimi i ligjit që ka lejuar mbrojtjen e kriminelëve të luftës dhe atyrë politikë ka shmangur në veçanti ekstradimin e kërkuar nga Gjermania të Josip Perkoviç, shefi i shërbimeve sekrete kroate që nga periudha komuniste, i akuzuar si urdhërues i vrasjes së disidentit Stjepan Dzurekoviç, e kryer në vitin 1993 në Bavari.

Top Channel