Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do të diskutojë dhe votojë 2 tetorin e ardhshëm një projekt/rezolutë të titulluar “Funksionimi i institucioneve demokratike në Bosnje e Hercegovinë”.

Projekti në fjalë parashikon mes të tjerash pezullimin e së drejtës së përfaqësimit të Bosnjes në Këshillin e Evropës, siç parashikohet nga artikulli 8 i statutit të organit evropian për promovimin e të drejtave të njeriut, të shtetit të së drejtës dhe demokracisë.

Rezoluta flet për “shqetësime serioze” mbi stabilitetin e ish-republikës jugosllave, të konfirmuara nga vonesa e gjatë prej 14 muajsh e formimit të qeverisë pas zgjedhjeve të tetorit 2010, si dhe nga kriza politike në vazhdim në nivel shtetëror dhe nga mungesa në rritje e respektit ndaj shtetit të së drejtës.

Motivacioni i pezullimit bazohet edhe në mungesën e zbatimit të vendimit të Gjykatës Evropiane të të drejtave të njeriut, i dhënë në vitin 2009 për çështjen Sejdiç-Finçi.

Bëhet fjalë për vendimin që ka ndshkuar Bosnjen për diskriminimin e qytetarëve që nuk u përkasin “popujve kushtetues” (serbëve, kroatëve dhe boshnjakëve) e që duhet të respektohet sa më parë.

Këshilli i Evropës pret që progreset në këtë drejtim të bëhen jo më vonë se zgjedhjet e tetorit 2014, pasi në rast të kundërt organizmi mund të shkojë drejt pezullimit të së drejtës së përfaqësimit të Bosnje e Hercegovinës në KiE.

Top Channel