Deputeti i PDSH, Bekim Fazliu në foltoren e Parlamentit grisi propozim-programin e qeverisë maqedonase për shënimin e përvjetorëve jubilarë të ngjarjeve të rëndësishme dhe figurave historike gjatë vitit 2013.

Ai tha se  me këtë program të skuaduar Bashkimi Demokratik për Integrim përçmon shqiptarët dhe anashkalon ngjarjet historike kombëtare.

“Jemi në fund të muajit shtator dhe ju krenoheni se do të kujtoni përvjetorin e vdekjes së Hasan Prishtinës. E dini se kur është ky përvjetor? Në gusht, çfarë do të shënoni më? Kjo është tallje me shqiptarët, është ofendim. Prandaj këtij programi i ka skaduar afati dhe si i tillë nuk meriton të diskutohet”, deklaroi Fazliu.

Pas kësaj situate, kryeparlamentari Trajko Veljanovski e ndërpreu seancën dhe kërkoi gjysmë ore pushim. Deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti e quajti gjest pa kulturë veprimin e kolegut të saj nga PDSH-ja.

“Më vjen keq që për programin e kulturës të komentoj një gjest pa kulturë. Nuk i ka hije, nuk ka shije dhe natyrisht nuk është në dinjitetin e një përfaqësuesi të popullit, një të zgjedhuri në zgjedhje. Natyrisht, ne jemi mësuar që opozita shqiptare të kërcënohet me djegie të Parlamentit, të fyejë rregulloren e Parlamentit, të grisë materialet e Parlamentit dhe përsëri punën e vetë ta bazojë në këto dokumente. Kësaj s’e di si i thonë, por më duket hipokrizi”, deklaroi Mehmeti.

Propozim/programi i qeverisë për shënimin e ngjarjeve historike u kundërshtua edhe nga partia Rilindja Demokratike Kombëtare, e cila kërkon që datat e rëndësishme të historisë shqiptare të shënohen në mënyrë dinjitoze me fonde nga buxheti shtetëror.

Top Channel