Dhjetëra qytetarë, politikanë, studiues, akademikë e diplomatë nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria kanë përkujtuar bashkë të enjten 85-vjetorin e largimit të Nënë Terezës nga Shkupi.

Në një akademi përkujtimore që u mbajt në qytetin e saj të lindjes u tha se vepra e humanistes së madhe shqiptare nga Shkupi pasuroi dhe nderoi emrin e gjithë kombit shqiptar.

“Kam kënaqësinë që jam pjesë e kësaj ngjarjeje, ku Nënë Tereza edhe pse nuk është pjesë vazhdon të na bashkojë dhe ushqejë me zemrën e madhe të dashurisë. Përveç kësaj jam i nderuar që si shkupjan të përkujtojmë një përvejtor të rëndësishëm për shqiptarët e Shkupit”, deklaroi Izet Mexhiti, kryetar i komunës Çair në Shkup.

“Duhet të pyesni pse ambasadori i Kosovës duhet ta përkujotojë Nënë Terezën. Për dy arsye të thjeshta, sepse më ka rastisur si asaj të lind në Shkup dhe e dyta sepse nganjëherë harrohet se pikërisht prindërit e Nënë Terezës janë kosovarë. Gjyshi i saj vërtetoi këto rrënjë përmes një testamenti”, tha Ylber Hysa, ambassador i Kosovës në Shkup.

Ndërsa biografi i njohur i humanistes shqiptare nga Shkupi, Don Lush Gjergji, tha se zëmërgjërësia e Nënë Terezës i ka rrënjët tek familja e saj, ndërsa frymëzues më i madh i Gonxhes ka qenë babai i saj, Kolë Bojaxhiu.

“Mikëpritja, zemërgjërësia, tradita jonë, bukë, kripë dhe zemër gjeti shprehjen më të bukur, do të thoja legjendare në jetën dhe veprën e Nënë Terezës dhe në familjen Bojaxhiu. Dhe në Shkupin tonë me dekada të tëra është dëgjuar fjala ‘bujar si Bojaxhinjtë’ dhe kjo rridhte nga jeta e familjes së Gonxhe Bojaxhiut”, tha Don Lush Gjergji.

Në këtë akademi përkujtimore të shoqëruar me një program kulturor u recituan edhe vargje të pozive të Nënë Terezës. Më 26 shtator të vitit 1928, humanistja shqiptare në moshën 18-vjeçare u largua nga Shkupi drejt Dublinit të Irlandës, ku bëri hapat e para në misionin e saj.

Në vitin 1948 ajo u vendos në Kalkutë të Indisë dhe iu dedikua tërësisht të varfërve. Në vitin 1979, Nënë Tereza u nderua me Çmimin Nobel për Paqen për punën e saj të palodhshme për të varfërit, ndërsa ndërroi jetë jetë në 5 shtator 1997.

Top Channel