Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, i ka vlerësuar si shumë të mira marrëdhëniet e fqinjësise me Shqipërinë.

Nga Dibra, ku ka marrë pjesë në projektin “Bontoni sportiv”, Ivanov theksoi se marrëdhëniet me Shqipërinë kanë qenë përherë plot mirëkuptim, ndonëse ka pasur, sipas tij, edhe sfida.  

“Presim të gjithë së bashku, të bëhemi pjesë e BE-së dhe të komunikojmë pa kufij ashtu si dikur. Ashtu siç kanë shkuar paraardhësit tanë përmes Durrësit në Romë, po kështu, edhe gjeneratat e reja do të shkojnë përmes fqinjëve tek fqinjët. Unë mendoj se Shqipëria ka qenë përherë fqinj i mirë, ndërsa ne jemi sjellë shumë miqësisht me të”, ka deklaruar Ivanov.

Presidenti ka komentuar edhe nismën e ministrit të Jashtëm të Malit të Zi, për formimin e një “unioni” me 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor.

“Ka shumë nisma në rajon, megjithatë, i tërë rajoni është i përqendruar të jetë, para së gjithash, pjesë e BE-së. Kështu që, kur do të jemi në BE, të gjitha nismat rajonale do të mund të realizohen”, ka theksuar Ivanov.

Top Channel