Organet greke kanë nisur një hetim masiv ndaj deputetëve të Agimit të Artë për të mbledhur prova që lidhin drejtuesit e partisë neonaziste me aktivitete kriminale, që shkojnë përtej ndikimit të filozofisë së tyre të urrejtjes në vrasjen e këngëtarit, Pavlos Fisas, pak javë më parë.

Për këtë prokurorët e Gjykatës Supreme në Athinë lëshuan një urdhër për përgjimin e telefonatave të disa deputetëve të partisë neonaziste si pjesë e hetimit. Ata thonë se ka informacione që përfshijnë anëtarë të Agimit të Artë në aktivitete të paligjshme që shkojnë përtej vrasjes së 34-vjeçarit e që përfshihen nga ligjet vendase si vepra kriminale.

Objektivi kryesor i hetimit është gjetja e provave dhe fakteve që do të klasifikonin Agimin e Artë në një organizatë kriminale që do të pasonte më pas me arrestimin e deputetëve të kësaj force politike.

Paralelisht me këto akuza, shërbimi i brendshëm i policisë greke ka nisur një tjetër hetim masiv pas akuzave në media për përfshirjen e pjesëtarëve të policisë në aktivitetet e Agimit të Artë. Në kretë, një drejtues i lartë policie u pezullua pas bërjes publike të disa fotove ku ai tregohet duke stërvitur aktivistë të neonazistëve.

Top Channel