Shefi i Departamentit të Kundërspiunazhit grek, i cili kishte edhe përgjegjësinë e hetimeve të veprimtarisë së Agimit të Artë, është shkarkuar nga detyra pasi është zbuluar se është i afërmi i një prej deputetëve të kësaj partie.

Gjithashtu, emri i tij është përfolur edhe gjatë një hetimi tjetër për çështjen e rrëmbimit të disa emigrantëve nga Pakistani disa vite më parë.

Ky zhvillim i ri ndodh në momentin më kulmor të një hetimi ligjor që ka filluar në Greqi me kërkesë të qeverisë, për akte të mundshme kriminale nga partia neonaziste Agimi i Artë.

Në këtë hetim përfshihen edhe lidhjet e kësaj force politike me anëtarë të policisë greke, ndërsa sindikalistët e forcave policore përpiqen t’i hedhin fajin qeverisë për dështimin e luftës ndaj neonazistëve.

“Ata duan që përgjegjësite dhe fajin për gabimet dhe të metat e sistemit politik që ka lejuar të fuqizohet Agimi i Artë t’i hedhin mbi kurrizin e punonjësve të policisë”, deklaroi Nikolaos Rigas, sekretar i përgjithshëm i Sindikatës së Policisë.

Por faktet flasin krejtësisht ndryshe. Përveç funksionarit të lartë të Shërbimit Kombëtar të Informacionit, EYP, në ditët e fundit pesë zyrtarë të lartë të policisë, si dhe shefat e rajoneve në zonën e Nikaias dhe Keratsinit të kryeqytetit janë shkarkuar nga detyra dhe janë zëvendësuar.

Dy zyrtarë të lartë të policisë dhanë dorëheqjen për arsye personale, katër të tjerë në Evia, pranë Athinës, u pezulluan pas dështimit të hetimeve për një grup personash të cilëve u janë gjetur mjete të forta si armë dhe shkopinj bejzbolli pranë një zyre të Agimit të Artë.

Megjithëse në orët e fundit u fol për një dorëheqje të mundshme masive të 18 deputetëve të kësaj partie nga Parlamenti, zëdhënësi i saj e ka mohuar këtë fakt.

“Agimi i Artë është këtu. Hetimi do të provojë se Agimi i Artë është i pastër si një diamant. Ajo do të provojë se jeni të frikësuar prej nesh, sepse jemi fuqia e vetme e përmbysjes ndaj kleptokracisë dhe kredive të huaja”, deklaroi Ilias Kassidiaris.

Me një retorikë nacionaliste, duke kundërshtuar masat ekstreme të kreditorëve të Greqisë, duke shpërndarë ushqime falas vetëm për grekët e varfër dhe duke ushtruar dhunë mbi emigrantët, Agimi i Artë u bë forca e tretë politike në vend.

Por disa ditë pas vrasjes së muzikantit grek antifashist Pavlos Fissas nga një anëtar i kësaj partie, ajo ka humbur të paktën 40% të mbështetësve në sondazhet e fundit.

Top Channel