Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi mendon se në kontestin bilateral për emrin e Maqedonisë, Shkupi duhet të lëshojë pe karshi Athinës.

Sipas Thaçit, autoritetet maqedonase duhet ta kuptojnë se kjo është mënyra e vetme për të zgjidhur problemimin e emrit, si një nga pengesat kryesore për integrimin e vendit.

“Është definitivisht e qartë se këta nuk duan të kuptojnë se, ata që duhet të lëshojnë pe janë këta, nuk ka një nivel të barabartë mes Greqisë dhe Maqedonisë, Maqedonia duhet të lëshojë pe, ose ndryshe nuk mundë të zgjidhet ky problem”, deklaroi Thaçi.

Me tëj, kreu i PDSH-së akuzoi BDI-në e Ali Ahmetit se qëndron pas dosjes “Kreatori” që u krijua vite më parë dhe kishte për qëllim ndjekjen e tij nga policia sekrete maqedonase. Ai kërkoi nga drejtuesit e komisionit për lustrim që të mos e zvarrisin shqyrtimin e kësaj lënde, por të kryejnë punën ashtu siç duhet.

“Nuk është çështje personale me ish-ministrin apo ish-drejtorin e shërbimeve, por dua të shpalos diçka tjetër që mundohet të fshihet. Dosjen dhe ndjekjen që ma kanë bërë në vitet 2002-2006 ma kanë bërë BDI-ja dhe Ali Ahmeti. Nuk janë ish-jugosllavët apo komunistët xhelatët, por janë xhelatët e rinj që e kanë bërë atë dosje dhe fatkeqësisht ata janë në pushtet këto vitet e fundit dhe bëjnë pengesa që dosja të vijë atje ku duhet”, theksoi Thaçi.

Lideri i PDSH-së foli edhe për progresin e vendeve të rajonit në procesin integrues, ndërsa tha se Maqedonia po ngec në të gjitha fushat.

Top Channel