liderin e partisë neonaziste Agimi i Artë, Nikos Mihaloliakos, zëdhënësin e saj Ilias Kassidiaris, tre deputetë të kësaj force politike dhe 13 anëtarë të saj në kuadrin e një hetimi të gjerë ligjor për veprimtari të mundshme kriminale.

Midis të arrestuarve ndodhet edhe Jorgos Patelis, një prej funskionarëve të lartë të kësaj partie dhe kryetar i degës së saj në lagjen Nikaia të Athinës, ku u vra disa ditë më parë një muzikant antifashist nga një anëtar i Agimit të Artë. Ndodhen gjithashtu edhe dy oficerë aktivë të policisë greke.

Gjithësej Gjykata e Lartë ka dhënë 36 urdhër-arreste për funksionarë të kësaj partie, ndërsa në aktakuzën prej 9 faqesh cilësohet Agimi i Artë si një organizatë kriminale që ka filluar veprimtarinë që prej vitit 1987.

Ndërsa një operacion i policisë për gjetjen dhe arrestimin e personave të tjerë është në zhvillim, janë gjetur mbi 43.000 euro dhe tre armë në shtëpinë e liderit Nikos Mihaloliakos, si dhe është shpallur në kërkim dhe kryetari i grupit parlamentar të Agimit të Artë, Kristos Papas, i njohur për thirrjet anti-shqiptare.

“Kur shohin që kemi 15% në sondazhet e fundit, sepse kaq na japin sondazhet që do publikohen të hënën, vendosën të gjitha mjetet duke hequr qafe oficerët e policisë dhe ata të shërbimit sekret në mënyrë që të na arrestonin”, deklaroi Georgios Germenis, deputet i AA.

Akuzat kryesore për arrestimet e bujshme janë ato të krijimit të një një organizate kriminale që ushtron dhunë mbi qytetarët grekë dhe emigrantët e huaj dhe si rrjedhim përbën një kërcënim për sigurinë publike.

Madje, sipas burimeve gazetareske, në dosjen penale për aktet kriminale të kësaj partie po hetohet për gjithësej pesë vrasje brenda viteve të fundit dhe disa dhjetëra sulme të dhunshme, fakte që janë zbuluar nga zbardhja e tabulatëve telefonikë në bisedat midis anëtarëve të saj.

Të arrestuarit, pasi janë çuar në Drejtorinë e Policisë, para të cilës janë grumbulluar qindra mbështetës të Agimit të Artë, pritet të dërgohen në prokurori, ndërsa në të gjithë vendin janë marrë masa të rrepta sigurie nga frika për reagime, ndoshta dhe të dhunshme.

Nisma për fillimin e hetimeve dhe të arrestimeve që po çojnë në shkatërrimin e kësaj force politike ka qenë vrasja e të riut antifashist Pavlos Fissas në 18 shtator nga një anëtar i neonazistëve që ka pranuar publikisht krimin.

“Dua t’ju siguroj se jemi në fazën fillestare të hetimit, fazë proçedurale dhe të gjithë ata që janë arrestuar, nëse janë fajtorë, do t’i dorëzohen drejtësisë. Por ne jemi një shtet i së drejtës dhe unë duhet të them se të gjithë do të kenë një gjykim të drejtë”, deklaroi ministri grek i Drejtësisë, Haralambous Athanassiou.

Sipas burimeve qeveritare, shumica e të arrestuarve pasi do të gjykohen do të marrin dënime me më shumë se 20 vjet burg, ndërsa theksojnë se nuk ekziston asnjë mundësi për destabilizim politik të situatës në vend, duke përjashtuar mundësinë për zgjedhje të parakohshme si rrjedhojë e mungeses së deputetëve të Agimit të Artë. Është hera e parë që në Greqi arrestohen një kryetar partie dhe deputetë të Parlamentit që prej vitit 1974.

Top Channel