Anija që përdor trupin në vend të velës

28/09/2013 00:00

Numri i kërkimeve dhe projekteve për shfrytëzimin e energjive alternative miqësore me natyrën vitet e fundit është rritur ndjeshëm, nisur edhe nga alarmi i dhënë nga studiuesit për ngrohjen globale.

Sigurisht në pararojë të këtyre kërkimeve qëndrojnë vendet e zhvilluara. Prej andej mbërrin edhe projekti i fundit; ai i anijes që shfrytëzon energjinë e erës për të ecur. Bëhet fjalë për projektin “Vindskip” (shqip Anija e erës) i realizuar nga studio norvegjeze “Lade As”.

Të frymëzuar nga aerodinamika e anijave hapësinore, projektuesit e studios norvegjeze ndërtuan atë që mund të jetë anija e së ardhmes dhe që sipas përllogaritjeve redukton me 60-80 përqind emëtimet e karbonit në atmosferë nga djegia e karburanteve që përdorin mjetet detare.

“Vinskip” është konceptuar si një skaf gjigant ku funksionin e velës e kryen vetë trupi i anijes. Ajo është e pajisur me një kompjuter të automatizuar që pasi analizon kushtet atmosferike përzgjedh kursin më të mirë për të shfrytëzuar energjinë e erës.

Po kur anija është e ndaluar? Inxhinierët norvegjezë kanë menduar edhe për këtë duke e pajisur “Vinskip” me një gjenerator që akumulon energjinë e tepërt të siguruar nga era gjatë udhëtimit.

Projekti është gati dhe objektivi i studios “Lade As” për momentin është gjetja e një sponsori për jetësimin e tij, që mund të shfrytëzohet edhe për anija mallrash apo kroçiera.

Top Channel