Zëvendëskryetari i partisë ekstremiste “Agimi i Artë” u vetëdorëzua në
polici në Athinë. Kristos Papas qe shpallur nën kërkim krahas pesë
deputetëve të tjerë dhe shumë zyrtarëve të nivelit më të ulët që u
arrestuan për vrasjen e muzikantit antiracist Pavlos Fyssas.

Një njeri i arrestuar për vrasjen e Fyssas me thikë i tha policisë se qe mbështetës i “Agimit të Artë”, megjithëse partia mohon të ketë lidhje.

Aludohet se ai ka folur me deputetët e “Agimit të Artë” pas sulmit. Të dielën, Nikolaos Michaloliakos, udhëheqës i “Agimit të Artë”, u akuzua për anëtarësim në një organizatë kriminale. Policia tha se ka gjetur tri pistoleta, municione dhe mijëra euro të thata në shtëpinë e Michaloliakos.

Akuza të tjera mbi të arrestuarit përfshijnë agresionin dhe pastrimin e parasë. Lajmet e fundit tregojnë se qeveria ka pasur një plan të detajuar kundër neo-nazizmit. Sipas medias greke, shumë oficerë policie janë pezulluar para operacionit pasi mendohej se kishin lidhje me “Agimin e Artë” dhe mund të dekonspironin. Policia arrestoi edhe një koleg të vetin që raportohej se punonte si truprojë për partinë.

Kjo është hera e parë që deputetë në detyrë arrestohen në Greqi që nga viti 1974.

Rreth 200 mbështetës të Agimit të Artë dolën në protestë për arrestimet.

Pas shumë vitesh në të cilat e ka toleruar këtë grupim që brutalizoi shoqërinë duke përhapur frikë mes emigrantëve, qeveria e koalicionit duket se vendosi se vija e kuqe u kapërcye me vrasjen e Fyssas, komentoi gazeta britanike “The Guardian” dje. Qeveria e Greqisë duket se veproi me vendosmëri të madhe dhe kjo qe e papritur. Brenda dhjetë ditëve të fundit, zyrat e partisë në të gjithë vendin u bastisën nga policia, anëtarët e saj u arrestuan, armët u konfiskuan dhe policët simpatikë ndaj saj u hoqën.

Frikë për tensione

Por arrestimet pritet të shkaktojnë tensione në skenën politike, ku publiku sakaq është i zhgënjyer me estabilishmentin aktual. Sipas Michaloliakos, me arrestimet e kryera qeveria “ka hapur dyert e ferrit”. Por ndërsa mbështetësit e tij dolën në protestë, mbetet ende për t’u parë se si kjo organizatë ekstremiste do të reagojë.

Në muajt e fundit Europa është tmerruar, ndërsa grupi me emblemë të ngjashme me svastikën është fuqizuar me shpejtësi. Tre vjet më parë ata kishin vetëm 0.7 për qind të votave ndërsa në zgjedhjet e fundit ata morën 7 për qind, dhjetë herë më shumë.

Qeveria ka rënë nën presion në rritje për të shtypur një organizatë që sot shihet si forca politike më e dhunshme në kontinent. Ajo fitoi duartrokitje për arrestimet. Sondazhet kanë treguar një rënie të papritur të mbështetjes për Agimin e Artë dhe mbështetësit e dikurshëm të Nea Demokratia që kishin kaluar tek ekstremistët janë kthyer.

Por deri tani ata kanë arritur të ruajnë mbështetjen bazë në sondazhe të vazhdueshme këtë javë duke treguar se partia ka mbetur ende në vend të tretë si forcë politike. Michaloliakos dhe kadetët e tij janë betuar të vijojnë të luftojnë nga qelitë e burgut.

Shumë kanë ngritur dyshimin se shtypja e nisur mund të sjellë efekte negative. Qeveria po lundron në det të panjohur, nga pikëpamja kushtetuese ekspertët theksojnë pamundësinë për nxjerrjen jashtë ligjit të një partie që ka hyrë në parlament me mjete të ligjshme.

Edhe në rast se deputetët shpallen fajtorë, ata do të mbeten në skenën politike. Grekët janë të përndjekur nga kujtesa e Partisë Komuniste, KKE, e cila u nxor jashtë ligjit për gati 30 vjet pas luftës civile.

“Mund të qe më korrekte nga pikëpamja kushtetuese të kërkohej miratim nga Parlamenti për heqjen e imunitetit para arrestimeve”, tha profesori i të drejtës kushtetuese, Kostas Chrysogonos.

Në një shfaqje të rrallë konsensusi, e majta dhe e djathta e justifikojnë rritjen meteorike të “Agimit të Artë” me shkurtimet buxhetore të detyruara nga ndërkombëtarët.

Neonazistët nuk kanë shumë bazë ideologjike në një vend që vuajti një nga pushtimet më brutale gjatë Luftës së Dytë Botërore nga nazistët, por Agimi i Artë ia ka dalë të kapitalizojë ndjesinë e madhe të padrejtësisë në një shoqëri të radikalizuar.

Top Channel