Shqipja në shkollat angleze

30/09/2013 00:00

Një numër shqiptarësh profesionistë dhe të suksesshëm që punojnë nëpër institucionet financiare në Londër kanë marrë pjesë në gjysmë- maratonën e Londrës, mes mijëra pjesëmarrësve për të ndihmuar në grumbullimin e fondeve për akreditimin e gjuhës shqipe, si pjesë e kurrikulimit nëpër shkollat e mesme angleze.

Pjesëtarë të grupimit të “Shqiptarëve Profesionistë të Britanisë”, privatisht kanë mundur të sigurojnë një pjesë të fondeve për të mundësuar regjistrimin e gjuhës shqise si lëndë provimi për nxënësit shqiptarë nëpër shkollat angleze, inciativë që ka filluar nga “Programi Shpresa”, një nga shoqatat më të mirënjohura shqiptare në Britani.

Flutura Bara-Shega e “Programit Shpresa” shpjegon për Top Channel se çfarë synohet me këtë maratonë: “Ky aktivitetet këtu synon të sensibilizojë komunitetin shqiptar, qeverinë shqipare dhe atë të Kosovës që të mbështesin regjistrimin e gjuhës shqipe nëpër shkollat angleze në Britani.

Kjo lëvizje ka filluar gjashtë vjet më parë nga të rinjtë e Programit “Shpresa”, me vizionin që kishte drejtuesja e kësaj organizate, zonja Luljeta Nuzi: “Në fillim dukej pak si e pamundur, por jemi në hapat përfundimtar. Po negociojmë me Institutin Cambridge. Është thjesht ana proceduriale. Duhet të grumbullohen 100 mijë pound që gjuha shqipe të regjistrohet. Nuk ka asnjë ndalesë tjetër”.
Driton Bilali është një nga pjesëtarët e Shqiptarëve Profesionistë të Britanisë që vrapuan në këtë maratonë për të sensibilizuar dhe ndihmuar në akreditimin e gjuhës shqipe në sistemin shkollor anglez: “Objektivi është që të mundësojmë që gjuha shqipe të pranohet në kurrikulën angleze. Do të jetë një gëzim shumë i madh nëse do e arrijmë, pavarësisht sesa kohë do të marrë”.

Me ndihmën financiare edhe të insitucioneve zytare në Shqipëri dhe Kosovë, ëndrra e shqiptarëve të Britanisë për të pasur gjuhën shqipe si pjesë e sistemit shkollor në Britani bëhet më e afërt, thonë organizatorët e kësaj nisme.

Top Channel