Java vendimtare e Enrico Letta-s

30/09/2013 00:00

Java që sapo filloi do të jetë vendimtare për qeverinë e kryesuar nga Enrico Letta të cilit i mbërriti dorëheqja e pakthyeshme e pesë ministrave të partisë së Silvio Berlusconit.

Lideri i djathtë, katër herë kryeministër, mblodhi të hënën eksponentët e partisë, në prag të votëbesimit që do të nisë mëngjesin e ditës së mërkurë në Senat. Silvio Berlusconi, i cili po përballet me fraksione në gjirin e partisë, deklaroi se vendimin për të kërkuar dorëheqjen e ministrave e ka marrë vetë dhe se partia e tij nuk është parti ekstremistësh, siç është cilësuar këto ditë.

Në fakt manovrën e Berlusconi-t arriti ta kritikojë ashpër edhe gazeta e Selisë së Shenjtë “Osservatorio Romano”. Në një editorial të hënën lexohej:”Një krizë që duket e shkaktuar në mënyrë të papërgjegjshme, jo vetëm për rrjedhojat e saj ekonomike, por edhe për besueshmërinë e klasës politike italiane”.

Në planin ekonomik tregjet financiare dëshmuan rënien e madhe të besimit ndaj Italisë, ndërsa agjencia ndërkombëtare e klasifikimit të kreditimit “Fitch” bën të ditur se tensioni politik në vend vë në rrezik pozicionin e vendit.

Por qëndrimi i ish-kryeministrit mbetet i prerë: ai ngul këmbë se duhen zhvilluar zgjedhje të parakohshme, ku mendon se do të fitojë. Nga ana tjetër mbetët i vendosur edhe qëndrimi i kryeministrit Enrico Letta i cili do të kërkojë votëbesimin, me kusht ama që ai të mos jetë për tre ditë; kështu u shpreh kreu u qeverisë italiane i  cili pasdite mori edhe mbështetjen e ngrohtë të kancelares gjermane Angela Merkel.

Top Channel