Serbia kërkon edhe një herë rishikimin e listave zgjedhore për zgjedhjet e Kosovës, pasi sipas zyrtarëve, Prishtina është duke tentuar të zvogëlojë numrin e votuesve në vend.

Personat e zhvendosur, lista të cilat i ka dërguar Serbia në Kosovë, kanë të drejtë vote. Por Beogradi dhe Prishtina nuk pajtohen rreth numrit të personave të shpërngulur. Ministri pa portofol, Alleksandar Vullin ka thënë se për këtë çështje do të diskutohet në Bruksel gjatë takimeve të ardhshme.

Vullin ka takuar disa prej kandidatëve serbë në Kosovë dhe ka thënë se këto zgjedhje nuk janë të thjeshta, pasi serbët votojnë nëse duan ose jo vazhdimin e funksionimit të shtetit serb në Kosovë.

“Këto janë zgjedhje në të cilat votohet pro Serbisë ose kundër”, ka thënë ministri serb. Serbia është duke bërë fushatë për njërën prej listave zgjedhore serbe, e cila fillimisht ishte quajtur “Lista Serbia”, ndërsa më pas “nisma qytetare serbe”.

Top Channel