President serb, Tomisllav Nikoliç ka kritikuar institucionet për shkak të dështimit të organizimit të paradës gay. Ai ka thënë se Serbia do të jetë nën vëzhgim dhe për shkak të ndonjë veprimi të vogël do të rrezikojë rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

Në një njoftim për shtyp presidenca serbe ka dalë në mbështetje të homoseksualëve.

“Të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë seksuale apo përkatësive të tjera, janë të barabartë dhe shteti duhet të merret me këtë në një mënyrë adekuate”, ka thënë Nikoliç, duke kërkuar që për paradën e ardhshme të organizohen të gjithë faktorët në vend dhe të mundësohet shëtitja.

Serbia ndaloi paradën dhe mori kritika negative nga BE-ja. Parada u ndalua për shkaqe sigurie, megjithëse aktivistët e të drejtave të njeriut dolën në rrugë në mbrëmje dhe shënuan kështu në mënyrë simbolike marshimin e tyre.

Grupet nacionaliste patën paralajmëruar metoda të ndryshme të sulmeve, ndërsa sa herë është mbajtur parada, kryeqyteti serb i ka ngjarë një fushëbeteje.

Top Channel