Nëse ndryshohet identiteti i kombit maqedonas, në Ballkan mund të shpërthejë luftë e re. Kështu vlerëson Risto Nikovski, ish-ambasadori i Maqedonisë në Shqipëri, i cili këmbëngul se me ndryshimin e emrit të Maqedonisë do të ndryshojë edhe emërtimi i kombit maqedonas.

Nikovski, i cili ka qenë edhe këshilltar i jashtëm i presidentit Gjorgje Ivanov, vlerëson se prapa projektit për ndryshimin e emrit të Maqedonisë qëndrojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Nëse ne pranojmë që të ndryshojmë emrin e popullit maqedonas, atëherë fillojnë problemet në këtë shtet pasi hapen aspiratat e vendeve fqinje ndaj Maqedonisë. Kjo nënkupton fillimin e një lufte të re ballkanike, pasi do të humbte durimi, do të paraqiteshin komitët e vojvodat. Ndryshimi i identitetit të maqedonasve u leverdis shqiptarëve, sepse me një gjë të tillë do të hapej mundësia për finalizimin e projektit amerikan për Shqipëri të Madhe”, ka deklaruar Nikovski.

Këto teza të diplomatit maqedonas, që u shpalosën gjatë një debati për emrin e Maqedonisë, po përhapin euroskepticizmin dhe fondamentalizmin antiperëndimor, tha analisti Kiro Naumov, pjesëmarrës në këtë debat. Ndërkaq, deputetja e BDI-së Ermira Mehmeti kërkoi më tepër tolerancë dhe kozmopolitizëm ndaj ndryshimeve.

“Republika e Maqedonisë në të gjitha raportet ndërkombëtare udhëhiqet në akronimin famëkeq FYROM dhe cilat janë pastaj elementet përcaktuese për një identetet fyromian? Ne pranojmë se jemi ish-jugosllavë? Mendoj se ky nuk është koncepti apo dilema të cilën guxojmë t’ia lejojmë vetës që ta kemi”, tha Mehmeti.

Një pjesë e panelistëve thanë se zgjidhja e çështjes së emrit është e pamundur pa ndihmën e ndërkombëtarëve dhe nënvizuan nevojën për tejkalimin e këtij problemi, si pengesë kryesore për integrimin e vendit.

Top Channel