Kryeministri serb, Ivica Daçiç, ka kërcënuar me ndërprerje të bisedimeve, në rast se Kosova i ndalon zyrtarët serbë të vizitojnë territorin e Kosovës, gjatë fushatës zgjedhore.

Këto reagime kanë ardhur pas refuzimit të Prishtinës për vizitë në Shtërpce të kryeministrit Daçiç.

“Kam njoftuar Brukselin dhe ambasadorët e vendeve të Kuintit se, ky vendim i Prishtinës është skandaloz dhe paraqet një goditje për procesin e paqes”, ka thënë Daçiç, i cituar nga “Politika”.

Daçiç ka thënë se nuk e kupton cili është qëllimi i marrëveshjes, nëse ai nuk mund të ftojë serbët të dalin në zgjedhjet e Kosovës, duke aluduar në vizitën e së premtes, që kishte planifikuar në Kosovë.

Politika e Beogradit mbështet vetëm një parti në Kosovë dhe më parë ka pasur tensione për vizitat e zyrtarëve serbë në këtë vend, pasi gjithnjë janë përcjellë me deklarata politike, që kanë nxitur reagimet e Prishtinës.

Qëndrimi i Serbisë është se këto zgjedhje nuk janë njohje e Kosovës, por vazhdim i ekzistencës së institucioneve në Kosovë.

Top Channel