Në Greqi vazhdon përplasja mes Ministrisë së Arsimit Publik dhe rektorëve të universiteteve mbi shkarkimin nga puna të 1.350 punonjësve.

Pushimi në fjalë bëhet në kuadër të angazhimeve të marra nga qeveria e Athinës kundrejt përfaqësuesve të trojkës, e përbërë nga FMN, BE dhe BQE.

Reforma në fjalë synon rimëkëmbjen e financave publike, por rektorët e 8 universiteteve i kanë kërkuar Këshillit të Shtetit që ta anulojë një vendim të tillë.

Muajin e kaluar krerët e shoqatave të mësuesve të shkollave 8-vjeçare dhe të mesme votuan në favor të propozimit që parashikonte një grevë të përgjithshme.

Aksioni në fjalë u karakterizua nga ndërprerja e mësimit dhe zgjati 5 ditë rresht duke filluar nga 16 shtatori.

Reformat qeveritare për përballimin e krizës së ashpër financiare që ka përfshirë Greqinë parashikojnë shkurtime masive në administratën publike dhe reduktim të rrogave e pensioneve.

Në shtator Instituti i Punës publikoi të dhëna alarmante në raportin vjetor për ekonominë greke. E përditshmja “Eleftherotipia” e krahasoi gjendjen ekonomike të vendit me vitet 1929-1933 të shekullit të kaluar, vitet e “Depresionit të Madh” në SHBA.

Sipas raportit, pagat e grekëve kanë humbur në tre vitet e fundit mbi 37 miliardë euro nga reduktimi i tyre dhe rritja e taksave dhe si pasojë fuqia blerëse është ulur me 37.2%, duke shkuar në nivelet e viteteve 2000.

Përsa i përket papunësisë ajo është kthyer në nivelet e 52 viteve më parë, pra të vitit 1961 dhe vlerësohet se në 2014 do të arrijë në 31.5%.

Ndërsa niveli i jetesës në vitin që vjen do të jetë 50% më i ulët se 6 vjet më parë. Konvergjenca e pagave reale krahasuar me mesataren e BE-së ka shkuar në nivelet e viteve 1980.

Top Channel