Zëvendëskryeministri serb, Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se vendimi i Prishtinës për të ndaluar hyrjen e zyrtarëve serbë në Kosovë gjatë fushatës zgjedhore është “i pakuptimtë, irracionale dhe absurd”.

“Në njëfarë mënyre, ky vendim është skandaloz, por gjithmonë dua që disa gjëra të kalojnë natën që pastaj të bëjmë marrëveshjen sesi t’i zgjidhim”, ka thënë Vuçiç.

Duke folur para gazetarëve mbrëmjen e së mërkurës në Beograd, numri dy i qeverisë serbe ka vlerësuar se Serbia nuk do të përulet.

“Nuk mund të lejojmë përlulje, por me rëndësi është që të presim një apo dy ditë dhe pastaj të reagojmë”, ka thënë ai.

Vuçiç ka bërë të ditur se për këtë vendim të Prishtinës ka biseduar me kryeminstrin Daçiç, ndërkohë që pret të bisedojë edhe me presidentin Nikoliç.

“Jam i bindur se ne do të kemi një reagim unik. Por, duhet që gjithmonë të kemi kujdes për të gjitha pasojat, në mënyrë që të mos reagojmë ashtu siç do të dëshironin ata që janë kundër Serbisë”, ka shtuar Vuçiç.

Po mbrëmjen e djeshme, këshilltari i presidentit Nikoliç, Marko Gjuriç, duke komentuar vendimin e Prishtinës tha se, një gjë e tillë do të ishte shkelje flagrante e marrëveshjes mbi lirinë e lëvizjes dhe sinjal i keq.

Në një prononcim për televizionin “B92”, ai paralajmëroi se në një rast të tillë, Serbia do të ndërmarrë hapat e duhur që kjo situatë të eliminohet.

“Në qoftë se paraqitet problemi, ne do të punojmë për ta eliminuar. Nëse një vendim i tillë irracional është marrë, atëherë kjo do të ishte një arsye që bashkësia ndërkombëtare të ushtronte trysni mbi Prishtinën, në mënyrë që të respektohet marrëveshja për lëvizjen e lirë”, deklaroi Gjuriç.

Top Channel