Takimi i radhës ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç do të mbahet më 7 tetor në Bruksel.

Konfirmimi ka ardhur nga zyra e shefes së Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, të cilës i referohet “REL”.

Qëllim i takimit pritet të jetë rishikimi i progresit në zbatimin e Marrëveshjes së 19 prillit, në veçanti zgjedhjet lokale të nëntorit.

Në këtë drejtim situata është paksa e tensionuar, pas vendimit të Prishtinës që u ndalon zyrtarëve serbë hyrjen në Kosovë gjatë fushatës elektorale.

Kryeministri serb, Ivica Daçiç kërcënoi të mërkurën me ndërprerje të bisedimeve, në rast se Kosova do ta zbatojë këtë vendim.

“Kam njoftuar Brukselin dhe ambasadorët e vendeve të Kuintit se, ky vendim i Prishtinës është skandaloz dhe paraqet një goditje për procesin e paqes”, tha Daçiç, i cituar nga gazeta “Politika”.

Ai u shpreh se, nuk e kupton cili është qëllimi i marrëveshjes, nëse ai nuk mund të ftojë serbët të dalin në zgjedhjet e Kosovës, duke aluduar në vizitën e së premtes, që kishte planifikuar.

Politika e Beogradit mbështet vetëm një parti në Kosovë dhe më parë ka pasur tensione për vizitat e zyrtarëve serbë në këtë vend, pasi gjithnjë janë përcjellë me deklarata politike, që kanë nxitur reagimet e Prishtinës.

Qëndrimi i Serbisë është se këto zgjedhje nuk janë njohje e Kosovës, por vazhdim i ekzistencës së institucioneve në Kosovë.

Top Channel