Kreu i agjensisë bullgare të strehimit të refugjatëve u shkarkua nga detyra e tij, për shkak të administrimit të dobët të fluksit të sirianëve të mbërritur në vend.

Nikola Kazakov u shkarkua nga ministri i Brendshëm bullgar, Tsvetlin Yovchev, për rezultatet e dobëta në punën e tij.

Organizata e Kombeve të Bashkuara, në një raport gjatë muajit shtator, i konsideroi kushtet e ofruara në qendrat bullgare të pritjes së emigrantëve si shumë të këqija.

Nga ana e tij, Kazakov u mbroj duke thënë se agjensia e tij e kishte të pamundur të bënte më shumë, pasi drejtuesit e vendit injoruan në mënyrë të përsëritur kërkesat e tij për asistencë, pavarësisht se i kishin kërkuar më parë ndihmë vendeve të BE-së.

Për shkak të kufirit të përbashkët tokësor me Turqinë, Bullgaria është shndërruar në një portë hyrëse të fluksit të sirianëve në vendet e BE-së.

Mesatarisht, vendi ballkanik pret 100 emigrantë në ditë, një numër në rritje të dukshme nga vetëm katër persona i pesë muajve më parë.

Pothuajse të gjithë sirianët e mbërritur në Bullgari kanë si synim përfundimtar kalimin në një prej vendeve të Europës Perëndimore.

Për shkak të luftës së përgjakshme civile në vendin e tyre, 4,25 milionë sirianë kanë braktisur shtëpitë, duke u shndërruar në refugjatë lufte brenda vendit dhe kryesisht në fqinjët e Sirisë, si Libani, Turqia apo Jordania.

Top Channel