Ish-ministri i Jashtëm i Serbisë dhe ish-anëtari i Partisë Demokratike tashmë në opozitë, Vuk Jeremiç, u rikthye në detyrën e deputetit pas përfundimit të mandatit si president i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Ai kreu betimin dhe pritet që të mbajë fjalimin e parë që prej rikthimit në detyrë gjatë ditës së sotme.

Partia Demokratike, tashmë në opozitë përjashtoi nga grupi i saj parlamentar Jeremiçin, pasi ai refuzoi që të jepte dorëheqjen nga detyra e tij si deputet.

Lidershipi i ri i partisë së drejtuar nga Dragan Dilasi, pasardhesi i Boris Tadiç, urdhëroi më parë gjatë vitit të gjithë ish-ministrat e kësaj force që të dorëhiqeshin nga pozicioni si deputet, por Jeremiç nuk iu bind këtij urdhëri.

Partia Demokratike Serbe është forca më e madhe e opozitës, me 45 vende në Kuvendin me 250 anëtarë të Serbisë.

Përgjatë një viti, nga shtatori 2012, deri në muajin e kaluar, ish-kryediplomati serb kryesoi Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku u zëvendësua prej John William Ashe, nga Antigua dhe Barbuda.

Top Channel