Ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarit, Nikos Dendias deklaroi se autoritetet mbeten të vendosura për të pastruar radhët e policisë nga të gjithë elementët ekstremistë të saj.

Deklarata e ministrit grek u lëshua për CNN gjatë një interviste për Christiane Amanpour, në një kohë kur të dhënat zyrtare tregojnë një rritje të frikshme të sulmeve me sfond racist në vend.

“Kemi urdhëruar një hetim të plotë dhe të imtësishëm nga ana e departamentit të kontrollit të brendshëm të policisë greke. Më lejoni të them që jemi të vendosur për të pastruar policinë nga cdo element racist”, tha Dendias.

Elementë të policisë grekë, përfshirë këtu deri tek drejtues të lartë të saj janë vënë në qendër të kritikave nga ana e medias për lidhje të ngushta, madje edhe përfshirje në aktivitetet kriminale të “Agimit të Artë”.

Të dhënat për vitin e fundit tregojnë një rritje prej 20 përqind të sulmeve me sfond racist në vend ku në qendër të tyre kanë qenë emigrantë të huaj, kryesisht nga Lindja e Mesme, numri i të cilëve është rritur ndjeshëm në vend pas trazirave në atë rajon.

Ministri Dendias renditi një sërë faktorësh për shtimin e këtyre rasteve, por tha se të gjithë këta faktorë nuk përbëjnë justifikim për dhunën dhe shkeljen e të drejtave të njeriut.

“Ka një papunësi të madhe, ka një krizë ekonomike dhe populli e shoqëria greke është në një periudhë të vështirë, shto këtu edhe dyndjet e emigrantëve të huaj në vend. Megjithatë të gjitha këto nuk përbëjnë justifikim për rishfaqjen e neonazizmit. Neo-nazizmi është krejtësisht i papranueshëm për ne dhe shoqërinë tonë”, tha ai.

Deklarata e Dendia për CNN u lëshua në të njëjtën ditë kur gjykata e lartë në Athinë vendosi masën e arrestit me burg për Kristos Papas, njëri prej drejtuesve të lartë të Agimit të Artë që sipas gjykatës është numri dy i organizatës kriminale të themeluar nga Nikos Mihaliakos.

Top Channel