Nisma e liderit të PDSH-së, Menduh Thaçi për bashkimin e opozitës shqiptare ka dështuar. Lideri i RDK-së opozitare, Rufi Osmani kësaj iniciative i është përgjigjur duke i propozuar PDSH-së një model bashkëpunim si dy parti të pavarura, të ngjajshëm me koliacionin mes PS-së dhe LSI-së në Shqipëri.

Por kjo formë e bashkëpunimit është e papranueshme për partinë e Menduh Thaçit, e cila vlerëson se alternativa më e mirë për forcimin e opozitës shqiptare në Maqedoni është bashkimi i dy subjekteve opozitare PDSH dhe RDK.

“Konstatoj që nivelin e bashkëpunimit që RDK-ja do të vendosë me PDSH-në i ngjan bashkëpunimit që RDK-ja dhe Rufi Osmani kanë me Zaevin. Ne jemi për bashkim dhe vetëm në këtë mënyrë ne do të arrijmë që hallet e shqiptarëve në nivel qëndror t’i nxjerrim nga ai kolaps që ndodhen. Meqë prononcimet e tyre janë vetëm për një bashkëpunim opozitar, konstatoj se nuk ka më vend për bisedime të mëtejshme”, deklaroi Zijadin Sela nga PDSH.

Ndaj këtij prononcimi të PDSH-së i menjëhershëm ishte reagimi i RDK-së së Rufi Osmanit, e cila iniciativën e Menduh Thaçit për të bashkuar opozitën shqiptare, e ka quajtur vetëm një tentativë të bujshme për të shitur mirëkuptim dhe korrektësi përmes një zhurme mediatike.

Në vitin 2011, dy subjektet opozitare PDSH dhe RDK formuan një koalicion opozitar që zgjati vetëm dy muaj. Tentativa aktuale e opozitës për t’u bashkuar u komentua edhe nga partia shqiptare në pushtet, BDI.

“Episodi i radhës i cirkut politik që sot e prezantuan partitë opozitare PDSH dhe RDK është vetëm një dëshmi se pse këto parti politike kalojnë në zgjedhje ashtu siç kanë kaluar në të gjitha këto cikle zgjedhore, por edhe një dëshmi e fortë se si qytetarët shqitparë, me mençuri kanë vënë re tek ato politikat joparimore dhe të standarteve të dyfishta”, deklaroi zëdhënësi Bujar Osmani.

Top Channel