Kryebashkiakët e Durrësit dhe të Selanikut, në kuadrin e binjakëzimit të dy qyteteve historike të të dy vendeve fqinje, zbuluan pllakën e përurimit të parkut në sheshin përballë stacionit të trenit në Selanik, që do të mbajë tani e tutje emrin “Parku-Durrësi-Shqiperia”.

Përkrah tyre dhe konsulli i përgjithshëm i Shqipërisë në këtë qytet, Riza Poda, nismëtar i kësaj iniciative simbolike që shpreh miqësinë midis dy popujve. Më pas, nën tingujt e himneve kombëtare të të dy vendeve janë ngritur pranë flamujve të dy bashkive flamuri shqiptar dhe ai grek.

“Ky veprim ka synim të sjellë më pranë dy popujt që të njohin më mirë njëri-tjetrin dhe të mos ketë më tabu midis tyre, si dhe informacione keqdashëse se si është njëri e si është tjetri”, deklaroi Jannis Butaris, kryebashkiaku i Selanikut.

“Është një nder i madh që iu bëhet qytetarëve shqiptarë që jetojnë këtu në Selanik. Jo vetëm atyre, por gjithë shqiptarëve që jetojnë në Greqi dhe në të gjithë botën”, tha nga ana tjetër kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.

“Është vendi i cili bart në vetvete një simbolikë për çdo emigrant të ardhur këtu në Selanik, simbolikën e shpresës për një të ardhme më të mirë. Dhe sot, ditën e inaugurimit të parkut çdo shqiptar i ndershëm që jeton e punon në Greqi ka çfarë të thotë, ka çfarë të tregojë”, deklaroi konsulli Riza Poda.

Inaugurimi është kryer në një situatë disi të tensionuar nga ndërhyrja e disa grekëve, të cilët kanë hedhur parulla nacionaliste dhe kanë fyer kryebashkiakun e Selanikut. Por ndërhyrja e forcave të shumta policore që kanë qenë prezente përgjatë gjithë ceremonisë ka shmangur çdo incident.

Duke iu përgjigjur këtyre personave të irrituar, kryebashkiaku Butaris, i njohur për ndjenjat e tij sidomos ndaj emigrantëve shqiptarë dhe Shqipërisë, u ka rikujtuar bashkëqytetarëve të tij vitet e emigrimit të grekëve disa dekada më parë.

“Protesta ka pasur, ka dhe do të ketë. Disidentë ka pasur dhe do të ketë. Por kjo mendjengushtësi që shqiptarët janë të këqinj, apo senegalezët janë të këqinj dhe vijnë këtu e na bëjnë e çfarë nuk na bëjnë, më duket se është tashmë një histori që duhet të marrë fund”, u shpreh Butaris.

Një ceremoni e ngjashme do të zhvillohet edhe në Durrës, ku një park i këtij qyteti do të marrë emrin “Parku Selanik-Greqi”. Ky veprim simbolik, që vite më parë as që mund të mendohej, është i pari në historinë e marrëdhënieve midis dy shteteve, që shemb disa tabu të vendosura prej dekadash.

Prej ditës së premte, dy qytetet-porte më të lashta të Ballkanit do t’i lidhë përveç historisë mijëravjeçare edhe emri i këtij parku në qendrën e qytetit të dytë më të madh të Greqisë.

Top Channel