Ngadalësimi i rritjes ekonomike

04/10/2013 00:00

Instituti i Statistikave njoftoi se rritja ekonomike u ngadalësua sërish në tremujorin e dytë të vitit. Sipas INSTAT, në periudhën prill-qershor prodhimi i përgjithshëm kombëtar u rrit me vetëm 1.1 për qind me bazë vjetore, nga 1.8 për qind që ishte shifra e tremujorit të parë.

INSTAT thotë se ngadalësimi ka ardhur për shkak të tkurrjes së aktivitetit ekonomik në sektorin e transportit me 5.3 për qind, atij të postë-komunikacionit me 4.6 për qind dhe tregtisë e shërbimeve respektivisht 2.8 dhe 0.4 për qind. Tre sektorët e vetëm me rritje janë ndërtimi, bujqësia dhe industria.

Sipas INSTAT, ndërtimi u rrit në tremujorin e dytë me 16 për qind krahasuar me një vit më parë, prodhimi bujqësor me 3 për qind, ndërsa ai industrial me shifrën minimale 1.3 për qind.

Në tre muajt e parë të vitit ekonomia pati një ecuri më të mirë. Prodhimi kombëtar u zgjerua me 1.8 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Por, për shkak të ngadalësimit në tremujorin e dytë, në total si gjashtëmujor rritja ekonomike ka zbritur në 1.44 për qind.

Ngadalësimi përkon me kohën kur qeveria e kaluar zgjeroi stimulin fiskal. Në periudhën prill-qershor, qeveria investoi në ekonomi dy herë më shumë se sa në tremujorin e parë. Por sërish ekspansioni fiskal i sektorit publik nuk ka mundur të ndalë ngadalësimin e ekonomisë në tërësi për shkak të thellimit të krizës tek privatët.

Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe qeveria e re shqiptare vlerësojnë se këtë vit rritja ekonomike do të luhatet rreth shifrave 1.7 deri në 1.9 për qind, që mbetet në nivelet më të ulëta të dy dekadave të fundit.

Top Channel