Emërohen 23 zv/ministrat e kabinetit

04/10/2013 22:20

Në mbledhjen e radhës së kabinetit qeveritar janë emëruar zëvendësministrat. Kryesisht ministritë do të kenë nga dy të tillë, një i PS dhe i dyti nga partitë aleate, por ka edhe emra, që nuk kanë qenë të përfshirë më herët në politikë.

Në vendimin e qeverisë për zgjedhjen e numrave dy në dikasteret ministrore mungon Ministria e Financave, emërime që me sa duket do të bëhen në një tjetër mbledhje të Këshillit të Ministrave.

Të emëruarit si numrat dy në ministritë, kryesisht marrin për herë të parë këtë detyrë, ndërsa LSI ka konfirmuar sërish disa emra, si Nora Malaj, zëvendësministre Arsimi, dhe Ylli Manjani te Transportet, të njëjtat detyra që kanë pasur edhe në qeverisjen e kësaj partie me demokratët, mandatin e shkuar.

Ndërsa Partia Socialiste ka emëruar në këto poste edhe disa prej kandidatëve në zgjedhje, që nuk ishin në zonën fituese nëpër qarqe.

Nga 23 zëvendësministra, 8 prej tyre janë femra. Për herë të parë në postin e zv/ministrit ulet një përfaqësuese e ‘para dhe tetraplegjikëve’. Ajo është Bardhylka Kospiri dhe do të jetë zv/ministre e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Qeveria ka liruar Prefektët në qarqet e vendit dhe ka emëruar pasuesit e tyre. Sipas njoftimit zyrtar të saj, mungojnë në këtë vendimmarrje emrat e Prefektëve të rinj në qarqet Vlorë dhe Lezhë.

Në këtë mbledhje të Këshillit të Ministrave u emërua në postin e kreut të Komisionit të Prokurimit Publik, ish-zëvendëskryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba.

Ndërkaq, qeveria ka liruar nga detyra edhe drejtorin e Përgjithshëm të Kthimit dhe Kompesimit të Pronave, Avenir Peka, por nuk ka marrë vendim për të emëruarin e ri në këtë detyrë.

Në ditën kur kryeministri morri angazhim, në takimin me përfaqësues të biznesit, të shlyejë borxhet e qeverisë së mëparshme ndaj tyre, Këshilli i Ministrave ka miratuar propozimin për projektligjin e kryerjes së shërbimit të auditimit të borxhit të ministrive, kundrejt biznesit vendas dhe të huaj.

Njoftimi i qeverisë thotë se projektligji adreson situatën emergjente për të shlyer detyrimin e qeverisë ndaj sipërmarrjes vendase dhe të huaj.

Ndërkohë, do të nisin procedurat për të filluar sa më parë një auditim të plotë financiar të shtetit, ku qeveria shqiptare njofton të gjitha kompanitë ndërkombëtare për të shprehur interesin ndaj këtij procesi.

Një tjetër projektligj i miratuar në këtë mbledhje ishte ai për shkurtimin e shpenzimeve për shërbimin e transporteve për zyrtarët publikë dhe nëpunësit civilë.

Lista e plotë e zv/ministrave të rinj

Elona Gjebrea dhe Ilirjan Mustafaraj, zëvendësministra të Punëve të Brendshme
Milva Ekonomi dhe Klodian Rjepaj te Shëndetësia
Dorjan Duçka dhe Ilir Bejtja, zëvendësministra të Energjisë dhe Industrisë
Nora Malaj dhe Arbjan Mazniku tek Arsimi dhe Sporti
Bardhylka Kospiri dhe Gentiana Sula, zëvendësministre të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë
Jani Babi dhe Alban Rusi, zëvendësministra të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave
Ylli Manjani, zëvendësministër i Transporti dhe Infrastrukturës
Dritan Hila, zëvendësministër i Mbrojtjes
Sokol Dervishaj dhe  Alqi Puli, zëvendësministra të Punëve të Jashtme
Brunilda Paskali, zëvendësministre e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes
Majlind Lazimi dhe Gentian Elezi, zëvendësministra të Integrimit Europian
Zef Çuni, zëvendësministër i Kulturës
Gjon Radovani, zëvendësministër i Zhvillimit Urban dhe Turizmit
Oljana Prifti dhe Diana Bejko, zëvendësministre të Mjedisit.

Ndryshimet e Prefektëve nëpër qarqe

Qarku Tiranë – Shkarkohet znj. Aljona Mansaku dhe emërohet Prefekt z. Sadi Vorpsi.
Qarku Durrës – Shkarkohet z. Genc Juka dhe emërohet Prefekt z. Rolant Xhelilaj.
Qarku Fier – Shkarkohet z. Shkëlqim Murati dhe emërohet Prefekt z. Xhevit Bushaj.
Qarku Kukës – Shkarkohet z. Elez Maçi dhe emërohet Prefekt z. Ram Hoxhaj.
Qarku Elbasan – Shkarkohet z. Shefqet Deliallisi dhe emërohet Prefekt z. Arben Kamami.
Qarku Korçë – Shkarkohet z. Andrea Mano dhe emërohet Prefekt z. Ardit Konomi.
Qarku Berat – Shkarkohet z. Bujar Hoxhaj dhe emërohet Prefekt z. Selfo Kapllani.
Qarku Dibër – Shkarkohet z. Gëzim Sharku dhe emërohet Prefekt z. Melaim Damzi.
Qarku Gjirokastër – Shkarkohet znj. Mimoza Como dhe emërohet Prefekte znj. Zamira Rami.
Qarku Shkodër – Shkarkohet znj. Voltana Ademi dhe emërohet Prefekt z. Paulin Radovani.

Top Channel