Kriza, Qeveria shkurton shpenzimet

07/10/2013 00:00

Veç rritjes së huamarrjes, Qeveria do të shkurtojë edhe 16 miliardë lekë
shpenzime në buxhet për të kompensuar rënien e fortë të të ardhurave.

Top Channel ka mësuar se Ministria e Financave ka përfunduar draftin final, që ndryshon buxhetin e shtetit. Varinti i ri i ul shpenzimet e përgjithshme të Qeverisë 421 miliardë lekë që ishin parashikuar në buxhetin fillestar në 405 miliardë lekë.

Formalisht shpenzimet ulen për disa zëra, por pjesa dërrmuese e tyre më shumë se shkurtim fondesh janë para të kursyera dhe shpenzime të parealizuara përgjatë gjatë vitit.

Dy zërat e vetëm që preken drejtpëdrejtë janë shpenzimet operative dhe ato të mirëmbajtjes, të cilat ulen me 1.3 miliardë lekë dhe investimet me burime të brendshme financimi, të cilat shkurtohen me 0.9 miliardë lekë krahasuar me planin.

Pjesa tjetër prej gati 14 miliardë lekësh janë kursime, që vijnë nga ulja e interesave të borxhit, mosrealizimi i investimeve me financim të huaj dhe kursimet nga fondi i pagave. Por sërish edhe me këto shkurtime kriza e buxhetit nuk zgjidhet.

Ministria e Financave vlerëson se deri në fund të vitit të ardhurat e mbledhura nga taksat dhe burimet e tjera do të jenë 38 miliardë lekë më pak se plani. Kjo do të thotë se veç uljes së shpenzimeve, Qeveria parlaleisht do të rrisë edhe borxhin me 22 miliardë lekë më shumë se plani fillestar.

Kjo e çon deficitin e përgjithshëm të buxhetit në rreth 6 për qind të Prodhimit Kombëtar dhe sipas burimeve nga Ministria e Financave e gjithë shtesa do të financohet përmes borxhit në tregun e brendshëm.

Top Channel