Pas gjashtë vjetësh recesioni dhe katër vjet reformash të ashpra, të imponuara nga “Trojka”, Greqia arrin synimet e dëshiruara financiare.

Për herë të parë, në fund të 2013-s arrihet një sufiçit primar, edhe pse i vogël prej 340 milionë euro, fakt që do të thotë se funksionimi i shtetit nuk krijon më borxh të ri.

Ndërsa në vitin 2014, sufiçiti primar pritet të zgjerohet ndjeshëm, në 2,8 miliardë euro, dhe ekonomia më në fund do të stabilizohet, duke treguar shenjat e para paraprake të rimëkëmbjes, pra një rritje prej 0,6%.

Deklarata optimiste është bërë nga zv/ministri i Financave, Christos Staikuras, pas prezantimit të projektbuxhetit të vitit 2014, ku është theksuar se Athina planifikon të dalë në tregjet e bonove, në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm.

“Bazuar në të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit të shtetit, ne vlerësojmë se do të arrijmë 1,6% të PBB-së, një tepricë primare, sipas kushteve të programit të politikës ekonomike”, tha Christos Staikuras, zv/ministër i Financave.

Gjithsesi, në vijim të këtij viti, ekonomia do të shënojë përsëri një ritëm negativ, prej 4%, por më të mirë se parashikimet, ndërsa papunësia do të vazhdojë të jetë rreth 27%.

Është sakrifica e njerëzve, që ka filluar të japë frytet e saj, dhe është një sinjal, që vendi po lë pas krizën paralizuese të borxhit, duke u bërë dhe çelësi për të shlyer huadhënësit ndërkombëtarë, ka deklaruar funksionari i lartë grek.

“Ne jemi duke punuar dhe po zbatojmë një sërë nismash dhe reformash, në mënyrë që të bëhet e mundur që vendi të kthehet në tregjet në vitin 2014, e më konkretisht në gjysmën e dytë të vitit”, theksoi Christos Staikouras.

E përjashtuar nga tregjet financiare prej vitit 2010, Greqia është mbajtur gjallë me dy paketat kolosale të ndihmës, prej gati 240 miliardë euro, nga BE, BQE dhe FMN.

Projektbuxheti për vitin e ardhshëm synon një defiçit të përgjithshëm të qeverisë prej vetëm 2,4% të PBB -së, por borxhi publik mbetet në nivelet më të larta, duke shkuar në 174,5% të PBB.

Greqia shpreson në një reduktim të tij, për ta bërë atë të qëndrueshëm, por deri tani asnjë prej kreditorëve të saj, dhe aq më tepër Gjermania, nuk pranojnë as ta përmendin këtë zgjidhje financiare.

Top Channel