Në Parlamentin e Maqedonisë ka nisur debati për rishikimin e buxhetit për vitin 2013, ndërsa opozita shqiptare ka ngritur zërin kundër shkurtimit të mjeteve për projektet shqiptare.

Deputetët e PDSH-së, me 57 amandamente të propozuara do të tentojnë të korrigjojnë ndarjen e padrejtë të mjeteve buxhetore.

“Ribalancimi i buxhetit të këtij viti ka edhe një simbolikë shumë domethënëse, zvogëlohen mjetet e sekretariatit për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit me 260 mijë euro. Po ashtu zvogëlohen mjetet për Teatrin Shqiptar të Shkupit me 24 milionë denarë dhe për Teatrin dhe Bibliotekën e Tetovës me 14 milionë denarë”, deklaroi deputeti Bekim Fazliu.

“Edhe buxheti i vitit 2013 ishte katastrofik për shqiptarët, por edhe ribalancimi i po të njejtit buxhet merr haraç dhe atë haraç më së tepërmi e paguajnë shqiptarët përmes zvogëlimeve që iu bëhen institucioneve të lartëpërmendura”, tha nga ana tjetër Naxhi Xhelili, nga radhët e RDK-së.

Edhe pse prezent në debat, ministri i Financave Zoran Stavrevski nuk iu përgjig këtyre akuzave. Ndërkohë, opozita shqiptare solli fakte se si janë diskriminuar institucionet shqiptare gjatë ndarjes së buxhetit të këtij viti.

“30 herë më shumë para merr muzeu i VMRO-së sesa ai i Alfabetit në Manstir. Vetëm teatri i vjetër i Shkupit merr 10 herë më shumë para sesa së bashku Teatri Shqiptar në Shkup e Tetovë dhe Biblioteka e Tetovës”, deklaroi Gazmend Aliji, deputet i PDSH-së.

Ministri i Financave Zoran Stavreski në arsyetimin e tij para deputetëve tha se me këtë rishikim të buxhetit nuk pritet të ketë shumë ndryshime. Ai tha se do të shtohen para në Fondin për Sigurim Pensional dhe Invalidor, me ç’rast defiçiti buxhetor do të rritet në 3.9%.

Top Channel