Ish-ministri i Jashtëm i Italisë, Franco Frattini do të jetë një tjetër
këshilltar i huaj pranë qeverisë serbe. Lajmin e ka bërë të ditur
zv.kryeministri Aleksandar Vuçiç.

Muajin e kaluar Beogradi zyrtar kishte njoftuar rekrutimin në cilësinë e këshilltarit të ish-drejtorit të FMN-së, Dominique Strauss Kahn dhe ish-kancelarin austriak, Alfred Gusenbauer.

“Jam gati të nxjerr mësime nga eksperienca e Franco Frattini, Alfred Gusenbauer dhe Dominique Strauss Kahn”, ka deklaruar Vuçiç për televizionin privat PRVA.

Frattini, që është president i Shoqatës Italiane për Organizimin Ndërkombëtar, është gjithashtu kandidati i qeverisë italiane për postin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s.

Vuçiç ka thënë se ai personalisht do të punojë me Frattinin, i cili nuk do të marrë asnjë shpërblim financiar për sugjerimet e tij.

“Frattini do të ndihmojë qeverinë serbe në procesin e integrimit evropian, në veçnati përsa i përket kapitujve 23 dhe 24 të negociatave të anëtarësimit”, ka saktësuar numri dy i qeverisë.

Top Channel