“Bosnje dhe Hercegovina duhet ta tejkalojë marrëveshjen e Dejtonit
përmes një marrëveshjeje të brendshme, mes liderëve politikë dhe pse jo
duke përfshirë ata fetarë”.

Kështu deklaron në një intervistë për agjencinë italiane të lajmeve “ANSA”, kreu i radhës i Presidencës së BeH, kroati Zeljko Komshiç.

“Këtë marrëveshje duhet ta tejkalojmë pa ndihma nga jashtë dhe pa një konferencë ndërkombëtare. Duhet t’ia dalim mbanë vetë”, ka thënë Komshiç.

Bosnja e Hercegovina, vendi ballkanas me presidencën trepalëshe (serbe, boshnjake dhe kroate), vuan nga përplasjet ndëretnike, kryesisht nga qëndrimi i palës serbe që disa herë ka shprehur tendencat për shkëputje dhe bashkim me Serbinë.

Gjithashtu, vendi në fjalë synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por sikundër vendet e tjera të rajonit vuan nga problemet e njohura si korrupsioni apo krimi i organizuar.

BeH konsiderohet si një nga vendet burim të tregtisë së zezë të armëve për organizata kriminale të ndryshme që veprojnë në kontinentin e vjetër.

Top Channel