Rrugëtimit të Shkupit drejt integrimit në Bashkimin Europian do t’i shtohet edhe një kusht, liria e mediave. Komisionit Europian në raportin e progresit që do të publikohet më 16 tetor, do të rekomandojë çeljen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë, por me kusht vendosjen e ‘kulturës mediatike’ në këtë vend.

Burime diplomatike njoftojnë se me këtë formulim, Brukseli i dërgon porosi të qartë Qeverisë së Maqedonisë se ky vend ka problem me fjalën e lirë dhe lirinë e medias.

“Të gjitha deklaratat publike dhe raportet që i bën Komisioni Europian edhe eurokomisari Fyle shkojnë në këtë drejtim, do të thotë që çështja e lirisë së medias mbetet prioritet për Maqedoninë”, thotë Naser Selmani, kryetari i Shoqatës së Gazetarëve në Maqedoni.

Kontrolli i qeverisë mbi mediat vazhdimisht është kritikuar edhe nga opozita, e cila vlerëson se nëse pushteti nuk heq dorë nga kjo sjellje, Maqedonia përvec rekomandimit për celjen e negociatave mund të humb edhe statusin e vendit kandidat.

“Tashmë është e qartë se do të marrim rekomandim me kusht për përcaktimin e datës, dhe përveç kritereve që kishim vitet e kaluara, do të kemi edhe një kusht të ri i cili është quajtur ‘Kulturë mediatike’. Ky është kusht me të cilin BE-ja kërkon nga Maqedonia të heq ndikimi dhe presioni ndaj mediave”, shprehet Vesna Bendevska, deputete e LSDM-së.

Opozita dhe Shoqata e Gazetarëve në Maqedoni po ashtu kanë porositur qeverinë që të heq dorë nga miratimi i ligjit për mediat, pasi i njëjti edhe më tepër do të përkeqësojë gjendjen në media.

Top Channel