Mali i Zi aprovoi kërkesën e Komunitetit LBGT për të mbajtur një paradë të krenarisë së homoseksualëve në datën 20 tetor.

Parada do të mbahet në Podgoricë dhe përgatitjet kanë kohë që janë realizuar, por aktiviteti mbahej peng i lejes së policisë, e cila duhet të përcaktonte në ishte në gjendje që të ruante rendin përballë kërcënimit të dhunimit të anëtarëve të paradës prej grupeve ekstremiste.

Pritet që ditën e paradës Podgorica të jetë i blinduar nga forca të shumta policie, për të siguruar mbarëvajtjen e paradës së parë gay në kryeqytetin e fqinjit tonë veriperëndimor.

Përveç policisë së shtetit, e përditshmja “Vijesti” bën me dije se për garantimin e rendit do të përfshihen edhe njësitë anti-terror dhe forcat speciale.

“Policia do të veprojë në bazë të juridiksionit të saj për të garantuar zhvillimin e paqtë të paradës homoseksuale, e cila duhet konsideruar si një aktivitet shumë i rëndësishëm në fushëm e tolerancës, gjatë të cilit shumë aktorë të jetës sociale do të japin mesazhe pozitive”, deklaroi ministri i brendshëm, Rasko Konjeviç.

Parada e parë gay në Malin e Zi u realizua në dtën 24 korrik në qytetin e Budvës, por përfundoi me përleshje që lanë disa të plagosur midis forcave të policisë dhe elementëve homofobë që sulmuan paradën.

Së fundmi, kryetari i shoqatës LGBT në Malin e Zi, Zdravko Cimbaljeviç, paraqiti dorëheqjen nga pozicioni i tij, duke argumentuar vendimin me kërcënimet e përditshme që i bëheshin jetës së tij.

Top Channel