Shqiptarët e Maqedonisë nuk përfaqësohen si duhet nëpër institucionet e shtetit edhe 12 vite pas arritjes së Marrëveshjes së Ohrit.

Edhe pse me këtë marrëveshje institucionet obligohen që të kenë të punësuar 25% shqiptarë nga numri i përgjithshëm, kjo kuotë respektohet shumë pak. Madje, me rishikimin e buxhetit për këtë vit, Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, që është përgjegjës për punësimin e shqiptarëve, i shkurtohen fondet. Për këtë situatë të disfavorshme për shqiptarët, opozita fajëson partinë e Ali Ahmetit BDI, që bën pjesë në qeverinë e Maqedonisë.

“15 mijë deri në 20 mijë maqedonas janë punësuar për këto 6 vite në administratën publike, ndërsa shqiptarët qëndrojnë nëpër shtëpi dhe nuk sistemohen nëpër institucione për të filluar punën”, theksoi Orhan Ibrahimi, deputet i PDSH-së.

Ndërkohë, javën e kaluar përmes një konkursi publik në administratën shtetërore janë pranuar 1600 punonjës, prej të cilëve 400 janë shqiptarë. Sipas analistëve, kjo strategji e gabuar e punësimit pamundëson arritjen e përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve në administratë.

Por, nga partia shqiptare në pushtet sqarojnë se rreth 1300 administratorë shqiptarë pritet të sistemohen nëpër institucionet shtetërore dhe me këtë pritet të rritet dukshëm përfaqësimi.

Raxhail Ismaili, deputet i BDI-së, deklaroi: “Në bazë të një analize që kemi bërë, po të shpërndajmë këto 1300 administratorë shqiptarë, me siguri se shumë institucione do të plotësojnë kuotën prej 25% që parashihet për shqiptarët në Maqedoni.”

Aktualisht, nga 107 mijë të punësuarit në administratën shtetërore, rreth 18% janë shqiptarë. Për t’u arritur kuota e garantuar për shqiptarët me kushtetutë prej 25%, në të ardhmen duhet të punësohen rreth 10 mijë shqiptarë dhe asnjë maqedonas.

Top Channel