Shqiptarët e Luginës së Preshevës janë përfshirë në problemet mes Kosovës dhe Serbisë. Pas takimeve me disa prej krerëve serbë, liderët shqiptarë i ka ftuar kryeministri serb, Ivica Daçiç, i cili do të presë që të flasin për bashkëpunim dhe funksionimin e kësaj pjese ne jug të Serbisë.

Daçiç ka kërkuar kohëve të fundit regjistrimin e shqiptarëve, por edhe një bashkëpunim me shqiptarët e Luginës së Preshevës. Por, para kësaj shqiptarët i ka ftuar kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Zoran Stankoviç, shef i trupit koordinues për jugun, ka thënë se qeveria e Serbisë ka miratuar një strategji për Preshevën.

“Në takimin e Daçiç dhe përfaqësuesve shqiptarë nga jugu i Serbisë do të flitet për fillimin e bisedimeve mes tyre dhe qeverisë së Serbisë, në të cilën do të përfshihen 13 ministritë e qeverisë që janë kompetente për zgjidhjen e çështjeve që kërkojnë shqiptarët në kërkesat e tyre”, ka thënë Stankoviç.

Bëhet fjalë për një fillim të bisedimeve për të zgjidhur të gjitha problemet që shqiptarët do të paraqesin, përfshirë arsimin, shëndetësinë, sigurinë dhe pjesëmarrjen në institucione.

Top Channel