Vetëm 5 për qind e të punësuarve në institucionet publike dhe shtetërore në Maqedoni janë shqiptarë. Me këto shifra ka dalë partia opozitare e Menduh Thaçit, PDSH, e cila për të dytën ditë radhazi ka fajsëuar BDI-në e Ali Ahmetit për mosrespektimin e kuotës ligjore prej 25% për punësimin e shqiptarëve.

“Ka vetëm një të vërtetë. Përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore nuk mbërrin as në 5%, duke pasur parasysh administratën shtetërore dhe publike, ndërmarrjet shtetërore, ato publiko-private, si dhe sektorin bankar. Pra, këto janë fakte të mjaftueshme që demaskojnë politikën e dështuar të BDI-së dhe që dëshmojnë gënjeshtrën e madhe”, deklaroi deputeti Orhan Brahimi.

Por, nga partia shqiptare në pushtet, BDI, thanë se shifrat e publikuara nga PDSH-ja opozitare nuk janë reale. Sipas partisë së Ali Ahmetit, përfaqësimi i shqiptarëve në institucione vitet e fundit është rritur ndjeshëm.

“Partia Demokratike Shqiptare po bën një manipulim të rëndë me shifrat me qëllim të përfitimit politik. E vërteta është se dinamika e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në shumicën e institucioneve ka tejkaluar shifrën prej 15%, ndërsa në disa të tjerë edhe kuotën ligjore prej 25%”, replikoi deputeti Rexhail Ismaili.

Deri sa dy subjektet shqiptare kanë dhënë shifra të ndryshme, Avokati i Popullit, Ixhet Mehmeti ka thënë se nuk dihet numri i saktë i të punësuarve shqiptarë, pasi shumë institucione që drejtohen nga kuadro maqedonas fshehin këto të dhëna.

Me këto pohime, Avokati i Popullit ka rrëzuar të dhënat e publikuara në raportin vjetor të përpiluar nga po ky institucioni, ku thuhet se 17,8 e të punësuarve në administratën publike dhe institucionet shtetërore janë shqiptarë.

Top Channel