Një grup personash të etiketuar nga policia si anarkistë mësynë mbrëmjen e së mërkurës zyrën politike të deputetit të Demokracisë së Re, njëkohësisht ministër i Marinës Tregtare greke, Miltiadhis Varvitsiotis.

Nga sa sqarojnë burime të forcave të rendit, agresorët hynë me forcë në zyrën politike të ministrit dhe pasi sulmuan dy punonjës dhe i nxorrën ata jashtë me forcë, i vunë flakën ambjenteve e më pas u larguan.

Zjarri shkaktoi dëme materiale, por fatmirësisht nuk pati të plagosur. Skuadrat e zjarrfikësve mbërritën me shpejtësi në vendngjarje dhe i vunë flakët nën kontroll, por në zonë atmosfera është mbytëse prej tymit.

Policia ka filluar një operacion për kapjen e autorëve, por deri në orët e vona të mbrëmjes nuk është bërë i mundur ndalimi i ndonjërit prej tyre.

Në momentin e sulmit, ministri grek ndodhej në Londër. Ai deklaroi se sulmi, të cilin e cilëson një pabesi, ka sfond politik. Miltiadhis Varvitsiotis konsiderohet si njëri prej mbështetësve më të afërt të kryeministrit Samaras.

Ai është bërë jo rrallë herë objekt kritikash prej opozitës së majtë radikale greke. Sulmi ndaj zyrave të Varvitsiotis është dënuar nga të gjitha partitë e koalicionit qeverisës në Greqi.

Top Channel